Roth e porositi Vuçiqin: Ju nuk jeni Serbia, president

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka kritikuar politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, transmeton Meta.mk.

Roth në rrjetin social “X” ka publikuar një pjesë të fjalimit nga konferenca për media e Vuçiqit dhe i është përgjigjur se deklarata “Unë jam shteti” nuk vlen më në Bashkimin Evropian.

“L’état c’est moi!” Kjo nuk ka qenë rasti në BE për një kohë të gjatë. Ju nuk jeni Serbi president Vuçiq! Unë ju kritikoj juve, miqësinë tuaj me Rusinë dhe politikën autoritare. Nga ana tjetër, unë e dua popullin serb. Ato që kam renditur janë pengesat më të mëdha për hyrjen e vendit tuaj në BE”, ka shkruar Roth.

Më herët presidenti Vuçiq iu referua debatit të nisur në rrjetin social “X” me përgjigjen e kryeministres Ana Brnabiq për vlerësimin e Roth se zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të drejta dhe as të lira.

“Imagjinoni sikur Ana Brnabiq të guxonte t’i përgjigjej Rothit. Le të luajë me shtete të tjera, nuk do të luajë me Serbinë. Ai nuk është një zotëri, unë e njoh mirë atë, swrbourryesin më të madh në Gjermani”, i tha Vuçiq kryeministres, e cila ishte ulur në rreshtin e parë, duke shtuar se “herën tjetër duhet të përgjigjet tre herë më fort”.

Ndryshe, në Raportin Përfundimtar Zgjedhor të publikuar dhjetë ditë më parë, organizata joqeveritare CRTA thekson se fshirja e kufijve mes shtetit dhe partisë “shndërroi në një situatë në të cilën aparati shtetëror veproi si mjet për realizimin e fushatës së Partisë Progresive Serbe.

“Përdorimi i shtetit për interesa partiake u manifestua në një gamë të gjerë – nga subvencionet e jashtëzakonshme buxhetore e deri te përfshirja e institucioneve shtetërore në përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe shpifjes ndaj opozitës”, thuhet në raportin e CRTA-s.

Kuvendi i Beogradit nuk është konstituuar më 3 mars, për shkak se nuk janë plotësuar kushtet ligjore, kështu që zgjedhjet do të mbahen sërish në kryeqytetin e Serbisë.

Toma Fila nga Partia Socialiste e Serbisë, si këshilltari më i vjetër që udhëhoqi seancën, deklaroi se në sallë nuk ka kuorum, pra këshilltarët nuk janë paraqitur.

“Ju informoj se pas zgjedhjeve nuk janë plotësuar kushtet e parapara me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit”, tha Fila.

Kjo ishte përpjekja e tretë për të krijuar Kuvendin e Qytetit në Beograd.

Në zgjedhjet e 17 dhjetorit, asnjë listë apo parti nuk fitoi vota të mjaftueshme për të formuar një Kuvendin e qytetit në Beograd.