PDSH vendosi: Në zgjedhje shkojmë bashkë me BDI-në

Partia Demokratike Shqiptare, sot e ka mbajtur Kuvendin Qendror në të cilin unanimisht është miratuar propozimi i kryetarit të partisë, Menduh Thaçi që në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të shkojë bashkë me koalicionin “Fronti Evropian”, të cilin e udhëheqë BDI-ja që dikur ishte oponenti kryesor i tyre, njofton Portalb.mk.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit do të bëhet ditën e hënë (25.03.2024) në ora 12:00 te Pallati i Kulturës në Tetovë”, thonë nga PDSH.

Mbrëmë, Thaçi në intervistë për “Klan Maqedoni” tha se marrëveshja ka ardhur pas bisedimeve dhe idesë e cila është formuar në dy vitet e fundit.

“Sot unë dhe zoti Ahmeti e kemi mbyllur marrëveshjen, e cila do të nënshkruhet të hënën në ora 12 në pallatin e kulturës, kemi pasur biseda të gjata, dhe është ide e zotit Ahmeti që para dy viteve. Kjo ide dalëngadalë është pjekur mes BDI-së dhe PDSH-së, po ashtu ditën e hënë do të nënshkruajmë marrëveshje me partinë Evropiane të Integrimit të Arianit Hoxhës, planifikohet edhe me një parti turke, boshnjake dhe disa shoqata. Këto i udhëheq zoti Ahmeti si bartës i këtij misioni. Unë gjithmonë kam qenë i drejtpërdrejtë, dhe nuk më takon mua që të pengoj zotin Ahmeti të krijojë një koalicion më të fuqishëm, dhe komunikimi jonë është unilateral vetëm e PDSH-së , dhe të tjerat janë vetëm përgjegjësi zotit Ahmeti. Koalicioni që jemi ne ka një forcë kryesore politike e cila është BDI-ja e zotit Ahmeti, dhe është realiteti sot i tillë. Pjesa tjetër janë copëza partish të ndara të cilat ende nuk e kanë treguar fuqinë e tyre në elektoral”, tha Thaçi.

Më 19 mars lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zyrtarizoi koalicionin e Frontit Evropian me kryetarin e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejd. Ahmeti tha se Rexhepi ka përkrahur politikat e tyre dhe nuk ka kundërshtuar vendimet e pushtetit, përfshirë këtu edhe kryeministrin shqiptar. Ahmeti në pyetjet e gazetarëve tha se po bisedojnë prej kohësh edhe me parti të tjera, që t’i bashkëngjiten këtij fronti.

Jozyrtarisht nëpër media është shkruar se edhe Aleanca për Shqiptarët (grupi i Ziadin Selës), pritet që t’i bashkohet “Frontit Evropian”.

Në anën e kundërt është opozita shqiptare e cila në këto zgjedhje është bashkuar. Lëvizja BESA, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit) do të dalin bashkë në zgjedhje.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.