PD me protestë para Kryeministrisë dhe Kuvendit, protestuesit me molotovë, ndërsa policia me gaz lotsjellës
Partia Demokratike po mban protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë, raporton TopChannel. Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për këtë protestë.
Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka pasur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Vetëm pak minuta para fillimit të protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, shkoi në selinë “Blu”, prej ku u nis për të shkuar përpara Kryeministrisë, aty ku do të mbajë dhe fjalimin e tij.
Policia iu përgjigje me autobota me ujë, duke i shpërndarë dhe duke shuar zjarrin që u ndez në disa pjesë të godinës. Menjëherë pas kësaj, ata braktisën Kryeministrinë dhe mbërritën përpara Kuvendit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi fillimin e protestës së katërt kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë.
Përmes një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan: “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe grupi kriminal që mbulohet me çadra (edhe pse nuk bie shi) gati për molotovët e një plaku të rrjedhur.”
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë.
Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit.
Kryedemokrati Sali Berisha në protestën e katërt kombëtare, i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalojnë protestat e kryengritjet.
Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorin Enver Hoxha në vitin 1991.