PBB-ja në Maqedoninë e Veriut arriti 3.8 përqind, ministrja theksoi se vetëm dy shtete kanë rezultat më të mirë se ky

Në tremujorin e tretë të këtij vitit, në Maqedoninë e Veriut prodhimi i brendshëm bruto (PBB) arriti në 3.8 përqind. Ministrja e financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska, këtë rezultat e vlerësoi si kontribut të Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Norma e rritjes së prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2025 është 3.8%. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, rritje më e madhe është vërejtur në sektorët GJ – Ndërtimtaria me 21.0% dhe S – Informacioni dhe komunikimet me 7.4%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Ministrja vlerësoi se ky sukses është rezultat i asaj për të cilën Qeveria ka punuar shumë gjatë një viti e gjysmë. Ajo theksoi se kjo është përkthyer në rritje të besimit të investitorëve për ekonomin e vendit.

“Krahasuar me vendet e rajonit dhe BE-së, sipas të dhënave për tremujorin e tretë të vitit 2025, Maqedonia është në vendin e tretë për sa i përket rritjes së PBB-së, me ç’rast rritje më të lartë është shënuar në Irlandë dhe Danimarkë. Nëse krahasojmë me vendet e rajonit, për tremujorin e tretë të vitit 2025, rritja në Serbi ishte 2%, në Mal të Zi 3.1%, në Kroaci 2.3%, në Bullgari 3.1%, në Rumani 1.2%, etj. Në mënyrë kumulative, rritja në tre tremujorët e parë të këtij viti është 3.4%”, theksoi ministrja.

Enti Shtetëror i Statistikave ndër të tjera sqaroi se sivjet investimet bruto në tremujorin e tretë janë 31.1 përqind, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 26.1 përqind.