Patriarku serb thërret për “Serbi të Madhe” me bekimin e Putinit

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në takim me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, artikuloi retorikë politike dhe destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë vizitës në Moskë më 23 prill 2025, shkruan Sbunker

Përveç përdorimit të termit historikisht të kontestuar për Kosovën- “Kosova dhe M” që shkaktoi menjëherë reagime në Prishtinë patriarku serb propozoi një ripozicionim gjeopolitik të Serbisë me Rusinë, brenda së cilës përfshiu Kosovën, Republikën Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë si dhe Malin e Zi- në një entitet të përbashkët rreth “Botës Serbe”, që sipas tij, është afër “Botës Ruse”.

Qëndrimi ynë në lidhje me Kosovën, Republikën Serbe dhe Malin e Zi, besoj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i shtetit rus, i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe dëshira e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse do të ketë një riorganizim të ri gjeopolitik, ne të jemi afër atij mjedisi rus”, tha Porfirije. Në bisedë përfshihet Irinej duke shtuar “…Botën Ruse”, gjë të cilën e konfirmon Porfirije.

Sipas transkriptit të takimit, ai i përshkroi këto territore si pjesë përbërëse të identitetit serb që duhet të ribashkohet në emër të “unitetit shpirtëror dhe kombëtar”.

Gjatë bisedës me presidentin Putin, Porfirije i cili paraprakisht kishte realizuar vizitë në Kosovë jo vetëm që kërkoi mbështetje për Serbinë, por shtyu përpara një agjendë të qartë revizioniste dhe ekspansioniste që kujton retorikën e viteve ’90.

Kjo u mirëprit nga presidenti Putin, i cili theksoi se Rusia e ka mbështetur gjithmonë qëndrimin e Serbisë për Kosovën, duke i quajtur lidhjet me Kishën Ortodokse Serbe si një urë të fortë shpirtërore dhe historike midis dy kombeve. Putin i shpreh mirënjohjen Porfirijes për rolin e tij në mbrojtjen e vlerave tradicionale.

Ky propozim pasqyron strategjinë e kahershme të Rusisë në Ballkan, siç vihet në dukje në një raport të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë të vitit 2023, ku Moska mbështet aleatët sllavë dhe ortodoksë, sikurse Serbinë për të sfiduar BE-në dhe NATO-n. Putin, tenton ta realizojë këtë duke shfrytëzuar paqëndrueshmëritë rajonale, veçmas duke iu fryrë narrativave të rreme mbi pavarësinë e Kosovës si dhe duke shfrytëzuar situatën e brishtë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Reagimet në Kosovë 

Politikanë, organizata të shoqërisë civile dhe analistë politikë në Kosovë i konsideruan deklaratat e Patriarkut si një tentativë për të rikthyer narrativat e vjetra kolonialiste të Beogradit. Sipas raportimeve në Kosovë, që u mbuluan gjerësisht nga mediet kjo gjuhë minon përpjekjet për dialog dhe paqe në rajon, si dhe vijnë në një kontekst të tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë duke i kontribuuar polarizimit të mëtejshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi ndaj deklaratave në një postim në platformën X, duke i cilësuar si përpjekje të rrezikshme për përdorimin e fesë në funksion të projekteve nacionaliste dhe gjeopolitike.

Kjo nuk është diplomaci fetare, është një partneritet strategjik i regjimeve autoritare, duke e vënë rajonin në rrezik serioz. Megjithatë, Kosova qëndron e vendosur në parimet dhe aspiratat e saj demokratike dhe kundërshton pa mëdyshje axhendat revizioniste të nxitura nga fuqitë autoritare”, shkroi Kurti.

Pasojat e mundshme 

Takimi i patriarkut serb me Putinin dhe mbështetja që ai mori nga udhëheqësi rus rikonfirmojnë lidhjet e ngushta mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Kremlinit, duke e pozicionuar atë si aktore politike me aspirata hegjemoniste dhe anti-perëndimore. Por njëkohësisht theksojnë edhe sfidat që Kosova përballet në arenën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

Deklarata të tilla minojnë edhe përpjekjet për pajtim dhe ndërtim të besimit në rajon që vijojnë të mbeten të brishta, sidomos kur aktorë të rëndësishëm fetarë dhe politikë përforcojnë narrativa që mohojnë realitetin politik dhe ligjor të Kosovës por edhe shteteve tjera në rajon.

Narrativa e “Botës Serbe”, është e lidhur edhe me politikën e ish regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe luftërat e përgjakshme të viteve ‘90–ta, diskurs ky që shkon kundër çdo ideje të pajtimit rajonal.

Në periudhën kur Ballkani ka nevojë për paqe, bashkëpunim dhe integrim evropian, deklarata si këto të liderëve kishtarë e politikë rrezikojnë ta shtyjnë Ballkanin Perëndimor drejt një spirale të re përplasjesh dhe izolimi.

Rajonit i duhet një përgjigje e koordinuar politike dhe diplomatike, me përkrahje  edhe të demokracive perëndimore për të mbrojtur sovranitetin e vendeve të Ballkanit nga ideologjitë e rrezikshme që përdorin fenë si mjet për dominim politik.