Prishtina edhe këtë verë kryeqendër e muzikës: Sunny Hill Festival e zbuloi programin e plotë

Prishtina këtë verë do të jetë sërish në qendër të hartës muzikore rajonale. Sunny Hill Festival e ka publikuar programin e plotë të edicionit 2026, i cili do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht, shkruan Portalb.mk.

Me Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix si emrat kryesorë të këtij edicioni, festivali sjell në Kosovë një kombinim të yjeve ndërkombëtarë, artistëve shqiptarë, DJ-ve të njohur botërorë dhe zërave të rinj që po formësojnë skenën muzikore lokale.

Në Sunny Hill Stage do të performojnë disa nga emrat më të pritur të festivalit, përfshirë Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Dhurata Dora, Blanco, Esdeekid, Tyson O’Brien dhe artistë të tjerë. Kjo skenë mbetet zemra e festivalit, aty ku publiku takohet me energjinë më të madhe, hitet globale dhe performancat që krijojnë atmosferën kryesore të Sunny Hill.

C4 Stage do të sjellë ritmin elektronik të festivalit me emra si Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Salomé Le Chat, Tommy Gold, Gjin dhe Kamelia. Me këtë program, Sunny Hill e forcon edhe më shumë profilin e tij si destinacion për adhuruesit e house, techno dhe kulturës së klubeve ndërkombëtare.

Një vend të rëndësishëm në edicionin e këtij viti zë edhe skena lokale, alternative dhe ajo e artistëve në rritje. Përmes The Next Stage dhe The Satellite, festivali i jep hapësirë emrave si Asgjë Sikur Dielli, La Fazani, Sytë, Bana Zahiti, Erëza, Jolle, Rrezze, The Milk Snatchers, Anitë, Artssassin, Halfpint, Locky, Malix, Nautica, Sindicato Del Baile, Uran B dhe Us Two.

Njëri ndër organizatorët e festivalit, Shpat Begolli, ka thënë për Portalb.mk se Sunny Hill po vazhdon edhe këtë vit traditën e sjelljes së emrave më të njohur të muzikës botërore.

“Çdo vit mundohemi të sjellim emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare dhe këtë besoj e kemi dëshmuar me repertorin e viteve të kaluara, ku çdo vit kemi pasur artistë A-list. Edhe këtë vit do të vazhdojmë njësoj. Pa modesti themi se jemi festivali më i madh në rajon. Kjo dëshmohet edhe nga rritja e festivalit, ku tashmë kemi arritur në më shumë se 30 mijë vizitorë në ditë, me përvojë të përmirësuar dhe të veçantë prej viti në vit”, tha ai.

Begolli shtoi se Sunny Hill po rritet jo vetëm në emra dhe audiencë, por edhe në infrastrukturë dhe përvojë për publikun.

“Tashmë është edicioni i tretë në hapësirën e re, të cilën po e zhvillojmë posaçërisht për festivale, dhe prej viti në vit po merr formë më të mirë, me më shumë gjelbërim dhe më shumë fasilitete. Këtë vit, përveç dy skenave kryesore, The Sunny Hill Stage dhe C4, do të kemi edhe dy skena të ditës, të cilat do të kenë performanca që nga ora 13:00 dhe do të kenë hapësira të përshtatura me hije, që audienca të mund ta përjetojë programin tërë ditën”, u shpreh ai.

Brenda tri ditëve, publiku do të ketë mundësi të përjetojë udhëtim muzikor që bashkon pop-in botëror, skenën shqiptare, muzikën elektronike dhe tingujt e rinj alternativë.

Afishja e festivalit. Foto: Sunny Hill Festival
Afishja e festivalit. Foto: Sunny Hill Festival