Pas tre vitesh nga ceremonia, dështoi investimi amerikano-kinez në Maqedoninë e Veriut 

Pas më shumë se tre vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për të nisur prodhimin, investimi i huaj JFA Automotive Safety North Macedonia që nga fillimi i këtij muaji është fshirë përmes procedurës së likuidimit dhe nuk ekziston më, raporton Faktor

Inflatorë për jastëkë ajri me teknologji hibride duhej të prodhoheshin në një fabrikë të re në ZZHTI Shkup 1, si investim i përbashkët i kompanisë amerikane ARC Automotive dhe asaj kineze Yanfeng. Dy kompanitë themeluese paralajmëruan investim në vlerë prej 30 milionë eurosh. Investimi duhej të siguronte mbi 100 vende të reja pune me paga mbi mesataren, ndërsa produktet të eksportoheshin në tregun evropian. 

Në një ceremoni të veçantë në fund të vitit 2022, autoritetet e atëhershme deklaruan se ky investim i përbashkët i dy kompanive të njohura botërore e bënte Maqedoninë “një vend ku prodhohet dhe nga ku eksportohet pajisje me cilësi të lartë për marka të njohura botërore të industrisë automobilistike”. 

Një kompani e madhe kineze nga industria e sigurisë automobilistike hyri në vend tre vjet e gjysmë më parë përmes një investimi të përbashkët (joint venture) me kompaninë ekzistuese me origjinë amerikane ARC Automotive, e cila vepron në vend që nga viti 2015, në zonën teknologjiko-industriale Bunarxhik. 

ARC Automotive është investim amerikan, i pranishëm që nga viti 2015 dhe aktualisht ka rreth 400 të punësuar. Produktet e saj instalohen në automjetet e prodhuesve më të mëdhenj të automobilëve, si Grupi “Volkswagen”, BMW dhe Fiat. 

JFA Automotive Safety duhej të ndërtonte një impiant të ri në Bunarxhik, menjëherë pranë fabrikës ekzistuese të ARC Automotive. Një nga arsyet ishte shfrytëzimi i resurseve që i kishte tashmë në dispozicion ARC Automotive. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zëvendësshefi i Misionit të SHBA-së, Eric Meyer, ambasadori kinez Zhang Zuo, si dhe drejtuesit kryesorë të kompanive investitore. 

Yanfeng është furnizues global i industrisë automobilistike, i fokusuar në interier, eksterier, ulëse, elektronikë të kabinës dhe siguri pasive. Kompania ka mbi 240 lokacione prodhimi dhe rreth 70.000 të punësuar në mbarë botën.