Pas incidentit në Çair, VMRO-DPMNE-ja i bëri thirrje Prokurorisë që të hapë procedurë për fshehje të pronës kundër Grubit

Prokuroria Publike të hapë procedurë për fshehe të pronës, evazion potencial tatimor dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve kundër zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi. Për një gjë të tillë sot bënë thirrje nga VMRO-DPMNE-ja opozitare pasi në Çair të Shkupit dje u dogj një automobil për të cilin zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se është në pronësi të një miku të tij, por nuk përgënjeshtroi se privatisht e ka përdorur edhe vet ai, njofton Portalb

Nga partia pyesin se pse zëvendëskryeministri nuk e ka paraqitur automobilin në listën anketuese – automobil i cili, siç shtojnë, një pjesë e ministrave konfirmuan se është i Grubit.

Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi dhe ministrat e tjerë të Qeverisë konfirmuan se automobili i djegur është automjet i Grubit. Sipas evidencës të cilën e publikuan mediat, automobili është në posedim të një personi tjetër për të cilin Grubi thotë se e ka mik. Cili është ai mik i Grubit i cili ka blerë ‘audi A6’ në vlerë prej 80.000 euro dhe në vend që ta vozisë vet, ia ka dhënë Artan Grubit ta vozisë dhe ta drejtojë atë si me automjetin e tij”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja në kumtesën partiake.

Partia opozitare bënë thirrje që të reagojë edhe nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK), për të deklaruar se nëse zëvendëskryeministri i parë është njëri nga funksionarët të cilët kanë pronë personale e regjistruar në emër të personave të tjerë për të cilët, siç shtojnë nga VMRO-DPMNE-ja, fliste antikorrupsionerja e parë Biljana Ivanovska.

Lidhur me automjetin e djegur “audi” në Çair, për të cilin në buletinin policor u publikua se është në pronësi të personit B.L., dje u prononcuar zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai është shprehur se vetura është e një mikut të tij, të cilit edhe i ka kërkuar falje për dëmin që i është shkaktuar për shkak të Grubit, shkruan Portalb.mk.

“I kërkoj ndjesë të gjithë fqinjëve të mi në lagjen tonë për shqetësimin e madh që e përjetuan mbrëmë para ndërtesës ku jetoj, për arsye të profesionit tim. I kërkoj ndjesë edhe shokut tim dhe familjes së tij për dëmin e shkaktuar vetëm për arsye të profesionit tim. Në politikë jam për të sherbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjtë dhe shoqëria”, ka theksuar Grubi.
Më tej ai ka shtuar se, vazhdimisht merr kërcënime, duke thënë se ato nuk do të arrijnë të bëhen pengesë për punën e tij.
Ndryshe, në shkrime më të vjetra mediatike, mund të shihet Grubi i fotografuar para veturës “Audi”, e cila ngjan plotësisht me atë të incizimeve.
Në vitin 2020 u publikua fotografi në të cilën Grubi shihet para veturës “Audi”, pasi u sulmu para Kuvendit, përkatësisht pasi një grua 38 vjeçare e gjuajti me gur dritaren e veturës dhe e theu, pas çka u arrestua nga policia.
Ndërkaq, në vitin 2021, mediat publikuan incizime nga e njëjta veturë, me të cilën po ashtu pretendohej se është e Grubit, për atë se si ka vendosur “flasherë” të policisë në veturën e tij private, që është e ndaluar me ligj, ndërsa për të njëjtën, siç pretendohej në media, nuk ka reaguar ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Në listën anketuese për gjendjen e tij pronësore, Grubi nuk ka paraqitur se posedon veturë “Audi”, por “Citroen Xsara” në vlerë prej 1000 euro.