Zëvendëskryeministri Artan Grubi kërkoi falje për veturën e djegur
Pas publikimit të informatave në media se, vetura që është djegur mëngjesin e sotëm në Çair është vetura private e tij, ka reagur zëvendëskryeministri Artan Grubi. Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai është shprehur se vetura është e një mikut të tij, të cilit edhe i ka kërkuar falje për dëmin që i është shkaktuar për shkak të Grubit, shkruan Portalb.mk.
“Sot (22.07.2023) në SPB Shkup është paraqitur se rreth orës 03:30 në rugën “Strumica” është shkaktuar zjarr në automjetin “Audi” me regjistrim të Shkupit, pronësi dhe e parkuar nga B.L. (35) nga Shkupi. Zjarri është shuar, nuk ka persona të lënduar, ndërsa një ekip i SPB Shkup ka kryer ekspertizë”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Një pjesë e mediave publikuan edhe incizime nga vetura e djegur, ndërsa tani për tani zëvendëskryeministri Artan Grubi nuk ka dalë me përgënjeshtrim as me konfirmim se bëhet fjalë për veturën e tij. Ai nuk është përgjigjur as në thirrjet teefonike, as në sms porosinë që i kemi dërguar – e kujt është vetura që është djegur, a është me të vërtetë e tij, apo bëhet fjalë për keqkuptim dhe nëse është e tij, pse është në emër të dikujt tjetër.
Ndryshe, në shkrime më të vjetra mediatike, mund të shihet Grubi i fotografuar para veturës “Audi”, e cila ngjan plotësisht me atë të incizimeve të sotme.
Në vitin 2020 u publikua fotografi në të cilën Grubi shihet para veturës “Audi”, pasi u sulmu para Kuvendit, përkatësisht pasi një grua 38 vjeçare e gjuajti me gur dritaren e veturës dhe e theu, pas çka u arrestua nga policia.
Ndërkaq, në vitin 2021, mediat publikuan incizime nga e njëjta veturë, me të cilën po ashtu pretendohej se është e Grubit, për atë se si ka vendosur “flasherë” të policisë në veturën e tij private, që është e ndaluar me ligj, ndërsa për të njëjtën, siç pretendohej në media, nuk ka reaguar ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Në listën anketuese për gjendjen e tij pronësore, Grubi nuk ka paraqitur se posedon veturë “Audi”, por “Citroen Xsara” në vlerë prej 1000 euro.