Partnerët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, kërkon Trump
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump u bën thirrje partnerëve të NATO-s që të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Në vend të dy për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB), vendet partnere duhet të investojnë në të ardhmen pesë për qind, tha republikani në një konferencë shtypi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, transmeton Dojçe Vele (DW).
Gjatë fushatës zgjedhore republikani i kërcënoi vendet anëtare të NATO-s që nuk paguajnë kontributin, se nuk do t’i mbështeste në rast të një sulmi nga Rusia.
Presidenti i ardhshëm amerikan kishte sinjalizuar që gjatë mandatit të tij të parë si president se SHBA do të tërhiqej nga NATO-ja, nëse vendet evropiane nuk rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Të gjitha vendet mund ta përballojnë këtë rritje nga dy në pesë për qind, tha Trump.