Paraburgim për të dyshuarin e vrasjes në afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup

Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin e Prokurorisë dhe i caktoi masën e paraburgimit 39-vjeçarit E.K., i dyshuar për vrasjen e V. E. e cila ndodhi dje në parkingun pas qendrës tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Me propozim të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj E.K. nga Shkupi, i dyshuar për dy vepra penale të vrasjes dhe tentativës për vrasje, si dhe një vepër penale për posedim, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe lidhur me vrasjen e djeshme në parkingun në qendrën tregtare ‘Mavrovasja’, pas marrjes në pyetje të të dyshuarit në prani të avokatit të tij, solli vendim me të cilin pranohet propozimi dhe i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit”,  thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria dhe Ministria e Brendshme dolën me detaje lidhur me vrasjen e djeshme.

MPB-ja njoftoi se SPB Shkup ka zbardhur plotësisht veprat penale “vrasje” dhe “vrasje e mbetur në tentativë”. Për personin e dytë që u privua nga liria ditën e djeshme nuk është konstatuar asnjë lidhje me ngjarjen dhe është lënë i lirë, ndërsa po merren masa intensive për gjetjen e një personi tjetër të përfshirë që dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit “Vrasje” .

Njëkohësisht, Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi se i dyshuari me paramendim dhe për përfitim i ka marrë jetën një personi, pas së cilës gruas së viktimës i ka marrë një çantë me laptop dhe është arratisur.

Vrasja ndodhi më 20 gusht 2024 pas qendrës tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit.