Paraburgim për dy persona të dyshuar për zhvatje parash dhe djegien e një veture në Shtip

Paraburgimi 30 ditor u është caktuar dy personave nga Shtipi, të cilët dyshohen se kanë kryer dy vepra penale, zhvatje dhe shkaktim të rrezikut publik, transmeton Portalb.mk.

Të dyshuarit, siç bëri të ditur sot Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shtip, në ditët e fundit të vitit të kaluar, personit të tretë i kanë dërguar disa mesazhe kërcënuese, me qëllim të zhvatjes së parave nga ai.

I dëmtuari, shtoi Prokuroria, i përballur me kërcënime serioze për jetën e tij dhe të familjarëve të tij, ka raportuar të dyshuarit në policinë e Shtipit.

Më pas, sipas përshkrimit të rastit nga Prokuroria, më 4 janar të këtij viti është organizuar takim, në të cilin të dyshuarit duhej t’i merrnin 30 mijë denarë. Punonjësit e policisë i kapën duke tentuar t’i merrnin paratë viktimës dhe i arrestuan.

PTHP-ja e Shtipit paraprakisht kishte siguruar prova që jepnin dyshime të arsyeshme se të njëjtit me 16 dhjetor para një objekti në rrugën “Sremski Front”, qëllimisht e kanë djegur veturën “Seat Leon” të parkuar në pronësi të një gruaje.

Në atë mënyrë, shton Prokuroria, të dyshuarit me dashje kanë shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupat e njerëzve.

Për këta persona Prokuroria Publike Shtip ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore, ndërsa për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët apo përsëritjes së akteve, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Shtip propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.