Paraburgim për dilerin e heroinës në Shkup

Prokuroria Themelore Publike ka nisur hetimet për një person i cili u kap me heroinë, raporton Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi për veprën penale ‘prodhim i paautorizuar dhe vënie në qarkullim e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve’, nga neni 215 paragrafi 1 i Kodit Penal.

I dyshuari, më 19 janar, në stacionin e pagesës Petrovec, si bashkudhëtar në një automjet me targa të Kavadarit, ka mbajtur pa autorizim rreth 10 gramë heroinë me qëllim shitjeje.

Për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik ikjeje, ndikim mbi dëshmitarë dhe mundësi të përsëritjes së veprës penale, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.