Panairi i Librit në Shkup: Prani e paktë e lexuesve shqiptarë, titujt që më tepër kërkohen janë letrare dhe sociale

Në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup vazhdon të jetë i hapur edicioni i 37-të i Panairit të Librit. Më shumë se 65 Shtëpi Botuese janë mbledhur në Panairin e Librit, duke sjellë qindra tituj për të rritur dhe fëmijë, nga klasiket te botimet më të reja. Bie në sy prania e paktë e lexuesve shqiptarë, shkruan Portalb.mk. Dyert e panairit jenë të hapura çdo ditë nga ora 10 deri në orën 20, ndërsa ditën e fundit më datë 14 maj deri në orën 18.

Muhamed Jashari, koordinator i botimeve të Shtëpisë Botuse “Logos A” për Portalb.mk tha se lexuesit kanë shprehur interes për të njohur titujt dhe autorët që kjo shtëpi botuese i ka sjellë.

“Edicioni i 37 i Panairit të librit i cili këto ditë po mbahet në Shkup padyshim që paraqet një festë për lexuesit dhe libërdashësit. Ndonëse ende jemi në ditët e para të kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore, mund të themi që është shprehur interesim te lexuesit për t’u njohur me titujt dhe autorët që shtëpia jonë botuese i sjellë”, tha Jashari.

Jashari gjithashtu deklaroi se titujt që më tepër kërkohen janë nga fusha letrare dhe shkencat sociale.

“Rëndom Shtëpia Botuese “Logos-A” aktivitetet e saja botuese i ndërmer në vigjilje të Panairit. Dhe atë duke u munduar që titujt të cilët i parashohim për botim të jenë të pranishme në stendë. Me qëllim që në kuadër të çdo edicioni të ketë risi tek lexuesi ynë. Marrë parasysh që Logosi posedon një gamë të gjerë të titujve nga lëmi të ndryshme, mund të themi se tituj që më tepër kërkohen janë nga fusha letrare dhe shkencat sociale”, tha Jashari.

Ai tha se për këtë edicion kanë sjellë dhjetra tituj të ri.

“Gjatë këtij Panairi kemi sjellë dhjetëra tituj të rinj. Meqenëse vitin e kaluar nuk e kemi pasur, në panairin e sivjetmë në Shkup për herë të parë është e pranishme vepra vëllimore e figurës tonë markante Sami Frashërit në shtatë vëllime. Përveç kësaj, do ta kisha veçuar edhe veprën monumentale të filozofit françez Rene Guenon “Sundimi i sasië dhe shenjat e kohës” si dhe veprën “Shfuqizimi i njeriut” nga Clive Lewis. Pa harruar që deri në ditën e fundit të panairit jemi në pritje të daljes nga botimi edhe i disa librave tjerë ndër ta, siç është romani i akademikut boshnjak Ferid Muhiç me titull, “Udhëtim për në Tajan””, tha Jashari.

Shtëpia Botuese “Logos A” gjithashtu ka botuar edhe një libër shumë përmbajtësorë për gjitha gjeneratat, udhëpërshkrimin e Branisllav Nushiqit “Pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit” (shënime të vitit 1892), përkthyer nga Skënder Latifi, tha Jashari.

“Libri “Pranë brigjeve të Ohrit” nga Branisllav Nushiç alias Alkibikad Nusha në fakt janë rrëfenja që autori ia dedikon lexuesve dhe që përfshihen të dhëna interesante dhe mjaft të vyeshme për liqenin e Ohrit, venbanimet rreth tij, pjesët historike. Gjithashtu, duke u ndalur edhe në vendbanimet në bregun lindor e perëndimor etj. Në panairin e librit nuk mungojnë edhe vepra tjera interesante që do të donim lexuesi t’i shoh si dhe veprat e ndryshme për fëmijë”, tha Jashari.

Panairi i librit në Shkup, maj 2025, foto nga Portalb.mk
Panairi i librit në Shkup, maj 2025, foto nga Portalb.mk

Agim Abazi nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM” për Portalb.mk tha se lexuesit shqiptar në panairin e Shkupit nuk janë të shumtë, për dallim nga lexuesit tjerë.

“Lexuesit shqiptar në panairin e Shkupit nuk janë aq të shumtë, fatkeqësisht për dallim nga lexuesit e palës tjetër, të cilët vinë në mas të madhe, me organizime të shumta. Dje në panairin e librit ka pasë vizitorë nga mbarë Maqedonia lindore dhe e kanë pushtuar ambientin e panairit të organizuara me dhjetra autobusë. Kurse në pjesën tonë ku është pjesë e margjinalizuar ku jemi 4-5 botues shqiptarë shumë pak ka vizitorë, por e mira e asaj është se ata që vinë janë blerës potencial. Mirëpo ne nuk kemi nevojë vetëm për blerës por edhe për vizitorë të cilët ndoshta sivjet e marrin shprehinë e vizitimit e pastaj edhe mësohen, mirëpo ato janë të pakët. Ka një vetëdijën, ndoshta jo në masë të madhe por për dallim prej dhjetë viteve më herët, ka një vetëdijësim të leximit të librave edhe përskaj të zhvillimit teknologjik”, tha Abazi.

Ai gjithashtu tha se ka tituj të sferave të ndryshme të cilat janë të kërkuara nga lexuesit.

“Ne këtu në panair kemi mbi 100 tituj që kemi, por edhe kemi disa botime të reja të cilaj janë më tepër të kërkuara p.sh. është libri “Shëndeti Mendor”, “Menaxhimi i Emocioneve”, “Faleminderit Armiqt e Mi”, libra që prekin aspektin psiqik dhe shpirtëror. Prej botimeve të reja kemi “Të Kuptuarit e Jetës” nga autori Selman Aude, që është një libër fantastik për çdo familje. Pastaj kemi edhe librat hisotrik “Historit e Profetëve”, “Historia e Humbur e Islamit” etj”, tha Abazi.

Panairi i librit në Shkup, maj 2025, foto nga Portalb.mk
Panairi i librit në Shkup, maj 2025, foto nga Portalb.mk

Edona Ferati, nga Shtëpia Botuese “Albas” për Portalb.mk tha se libri dhe leximi janë thelb i jetës, të rinjtë duhet të fokusohen më shumë në të.

“Kemi libra zanor, jozanor, për të rritur kemi botime të reja si për shembull kemi botimet më të reja të Petro Markos që është bë një koleksion i veprave të Petro Markos, kemi shumë tituj të ndryshëm për zhanre të ndryshme. Libri dhe leximi është thelb i jetës, mendoj që të rinjtë duhet të fokusohen më shumë, flas për ato të shkollës së mesme sidomos dhe studentët që duhet pak më shumë të nxitet vetëdija e leximit te ato”, tha Ferati.

Dyert e panairit jenë të hapura çdo ditë nga ora 10 deri në orën 20, ndërsa ditën e fundit më datë 14 maj deri në orën 18.

Çmimet e biletave janë 100 denarë për biletë të rregullt, 50 denarë për nxënësit dhe 250 denarë për tre vizita.

Hyrja është falas për fëmijët deri 12 vjeç në prani të prindërve. Me çdo biletë të blerë, 15 denarë do të dhurohen për Fshatin e Fëmijëve SOS.