Pak mjete të planifikuara për t’i zgjidhur problemet me ndotjen në Maqedoninë e Veriut

Autoritetet qeveritare po tregohen të pandërgjegjshme sa i përket mbrojtjes së ambientit, sidomos kur bëhet fjalë për cilësinë e ajrit, thonë organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit në Maqedoninë e Veriut, raporton REL. Këto reagime pasojnë propozimin për buxhetin e vitit 2024 në bazë të të cilit, vetëm 0.8 për qind e buxhetit të përgjithshëm planifikohet për mbrojtjen e mjedisit.

“Me këtë ndotje, qytetarët e vendit përballen për çdo ditë. Me këto pak mjete që janë ndarë nga buxheti i shtetit, është për të ardhur shumë keq se do të mund të mbulohen shumë pak projekte serioze që do të përmirësonin cilësinë e ajrit dhe ambientin jetësor. Ndërkohë që këto mjete do të shpenzohen më shumë për rroga dhe funksionimin e administratës së ministrisë në fjalë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare Eco Guerila.

Ai thekson se mjetet e parapara nga arka e shtetit për mbrojtjen e ambientit nuk mjaftojnë për të ndërtuar kapacitete të qëndrueshme të afta për të luftuar ndotësit e ajrit.

Ndërkohë nga organizata joqeveritare, Iniciativa O2, duke u thirrur në të dhënat e Agjencisë Evropiane për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor, ka shkruar në Facebook se në vitin 2021 si pasojë e ndotjes së mjedisit e kanë humbur jetën 5 mijë e 600 persona.

Nga kjo organizatë theksojnë se vërehet rritje e theksuar e vdekshmërisë së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut si rrjedhojë e ndotjes së mjedisit. Në vitin 2020 për shkak të problemeve nga ajri i ndotur në Maqedoninë e Veriut jetën e ka humbur 4 mijë e 270 persona, më 2019 – 3 mijë e 610 persona dhe në vitin 2018 ka pasur 3 mijë e 180 vdekje si rrjedhojë e ndotjes së mjedisit.

Në këtë drejtim, Arianit Xhaferi thekson se mosreagimi i institucioneve ka bërë që Maqedonia e Veriut të radhitet në krye të listës për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit.

“Mesatarisht brenda vitit në Maqedoninë e Veriut kemi më shumë se 100 ditë me ndotje të ajrit – disa herë mbi shkallën e lejuar – ndërkohë kemi zero ditë burgim për ndotësit e mjedisit, ajrit, ujit apo tokës, pavarësisht se me nenin 218 të Kodit penal parashihet burgim nga 3 – 4 vjet për këto krime ndaj mjedisit”, thekson Xhaferi.

Përveç ndotjes së ajrit, si pika shumë të ndjeshme që kërkojnë zgjidhje urgjente janë edhe deponitë, përkatësisht 16 lokacione paraqesin pika të nxehta ekologjike ku, sipas ambientalistëve, ka miliona tonë mbetjesh industriale.

Për Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sfidë mbeten dhe deponitë e egra në shumë hapësira në Maqedoninë e Veriut.

Në bazë të hulumtimit të Qendrës për Kërkime dhe Informim mbi Mjedisin ECO, gjatë vitit 2019-2020 për të pasur një luftë efikase kundër ndotjes dhe atë vetëm sa i përket eliminimit të ndotësve të ajrit, nevojiten së paku 300 milionë euro në vit.

Autoritetet shtetërore theksojnë se për ta mbetet prioritet ambienti jetësor, por se ky proces është i vështirë dhe kërkon kohë.

Deputetja Maja Moracanin, e cila është pjesë shumicës parlamentare, thotë se mjetet që janë ndarë nga arka e shtetit për dikasterin e ambientit, gjithsesi nuk janë të mjaftueshme për t’i zgjidhur problemet me ndotjen, por ajo shton se me problemet e ndotjes merren tërthorazi edhe ministritë e tjera si ajo e ekonomisë, transportit dhe lidhjeve etj.

“Pajtohem se ende nuk i kushtojmë një rëndësi të mjaftueshme trajtimit të mjedisit dhe klimës në lidhje me pjesën e buxhetit që dedikohet për këtë qëllim”, thotë ajo për REL-in.