Pagesat bankare nëpërmjet internetit në Shqipëri arritën rekord në vitin 2024

Përdorimi i pagesave bankare në distancë (home banking) u rrit për të katërmbëdhjetin vit radhazi në 2024, transmeton PCW.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 9.36 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. 

Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22% ose me 1.7 milionë veprime më shumë. Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i transaksioneve të home banking është rritur me pothuajse 160%. 

Ndërsa vlera totale e veprimeve të bankingut në distance për 2024 arriti në 2.39 trilionë lekë, në rritje me 19% krahasuar me një vit më parë. 

Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë. 

Kufizimet e lidhura me pandeminë dhe ngarkesa e degëve të bankave sollën një vëmendje më të madhe drejt mundësive të pagesave në distancë dhe ishin një moment shtyse të mëtejshme drejt pagesave eleketronike. 

Tendenca rritëse e veprimeve nëpërmjet kanaleve dixhitale ka vijuar e qëndrueshme në të gjithë periudhën pas pandemisë. 

Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po rritet me ritme të shpejtë. 

Në fund të vitit 2024, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.35 milionë, në rritje vjetore me 23%. 

Vlerësohet se tashmë 39% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 34% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020. 

Afërsisht 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. 

Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 23%, ndërsa për llogaritë e bizneseve rritje ishte edhe më e lartë, me 26% më shumë krahasuar me një vit më parë. 

Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë nevoja për të shkuar fizikisht në bankë. 

Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision. 

Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. 

E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.