Paga e kryeministrit Mickoski është 140.450 denarë, ministrat marrin nga 115.540 denarë

Paga e kryeministrit Hristijan Mickoski është 140.450 denarë, përkatësisht rreth 2.280 euro. Zëvendëskryeministrat dhe ministrat marrin pagë neto prej 115.540 denarë (1.870 euro), përveç ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, i cili për kryerjen e atij funksioni merr edhe 20 për qind shtesë në shumë prej 24.865 denarë, kështu që paga e tij është 140.405 denarë, e njëjtë me atë të kryeministrit, transmeton Portalb.mk.

Qeveria ka publikuar në ueb-faqen e saj zyrtare në rubrikën “llogaridhënie” pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Deri vonë ueb-faqe, kanë qëndruar pagat e anëtarëve të Qeverisë së Zoran Zaevit të para rritjes së famshme prej 78 përqind vitin e kaluar në mars, kurse Qeveria e Dimitar Kovaçevskit, në mandatin e të cilit ka ndodhur rritja e pagave të zyrtarëve, asnjëherë nuk njoftuan se sa janë të ardhurat e tyre mujore! Për pagat e ish-ministrave opinioni mori vesh rastësisht, nëse ndonjëri prej tyre e zbulonte shumën, kështu që ish-ministri i financave Fatmir Bisimi në një rast zbuloi se paga e tij pas rritjes ishte 125.960 denarë.

Pagat bruto të ministrave aktualë janë 176.830 denarë, shumë që është për 60.000 denarë më e lartë se pagat neto. Sipas përllogaritjes, për pagat neto të 23 ministrave dhe kryeministrit çdo muaj paguajmë rreth 2.8 milionë denarë (46.000 euro), kurse për pagat e tyre bruto 4.3 milionë denarë, përkatësisht rreth 70.000 euro. Kjo është 843 mijë euro në vit vetëm për ministrat, pa zëvendësministrat dhe zyrtarët tjerë në Qeveri. Nuk dihet se sa na kushtojnë rrogat e të gjithë 1060 të zgjedhurve dhe të emëruarve në shtet, përfshirë gjyqtarë, kryetarë komune, deputetë etj., sepse nuk publikohen në mënyrë transparente.

Paga minimale në Maqedoni është 22.567 denarë, ndërsa paga mesatare në muajin prill është 40.937 denarë, që do të thotë se një ministër merr pesë paga minimale, pra gati tri paga mesatare!

Pagat e kryeministrit dhe ministrave
Pagat e kryeministrit dhe ministrave. Burimi: Qeveria e RMV-së

Ndryshe nga opozita, ndryshe nga qeveria

Kryeministri Hristijan Mickoski para pak kohësh tha se problemi i pagave në administratën publike dhe pagat e zyrtarëve duhet “të zgjidhet në përgjithësi” dhe për këtë do të miratohet një ligj sistematik. Të njëjtin ligj sistematik e kishte premtuar edhe qeveria e kaluar e Kovaçevskit, kështu që nuk e hartuan me arsyetimin se ishte kompleks dhe kërkonte shumë kohë. Për dallim nga tani, sa ishte në opozitë, VMRO-DPMNE-ja e udhëhequr nga Mickoski kritikoi ashpër rritjen e pagave të zyrtarëve dhe kërkoi uljen e menjëhershme të tyre, por deputetët e kësaj partie nuk ofruan ndryshime ligjore në Kuvend. VMRO-DPMNE kërkoi zvogëlimin e koeficientëve të kompleksitetit sepse rritja është “gjëja e fundit që duhet bërë në kushtet kur 600 mijë qytetarë jetojnë me 150 denarë në ditë”, por pas një kohe kjo parti, deputetët e së cilës marrin paga më të larta, pushuan së insistuari për uljen e koeficientëve dhe nisën të premtonin se do t’i ulin ato sapo të vijnë në pushtet. Në pyetjet e gazetarëve se pse nuk parashtrojnë ndryshime ligjore për rikthimin e pagave të zyrtarëve, Mickoski u përgjigj se kjo nuk është bërë sepse asnjëherë nuk janë pranuar iniciativat e tyre.

“Përvoja tregon se sa herë paraqitet një nismë nga opozita, ajo refuzohet. Pas disa muajsh do të kemi qeveri tjetër. Do të propozojmë ligj për rikthimin e pagave të zyrtarëve”, tha Mickoski vitin e kaluar në gusht.

Tani kryeministri Mickoski nuk thotë më se do të propozojnë ligj për kthimin e pagave të zyrtarëve, por përgjigjet për diçka tjetër.

“Ligji për pagat e zyrtarëve duhet të ndryshohet. Qeveria e kaluar solli një lloj nivelizimi, por problemi me pagat në administratën publike dhe për zyrtarët duhet të zgjidhet në përgjithësi, sepse ka institucione ku punonjësit që kryejnë detyra të caktuara kanë dyfishin e pagës së punonjësve që kryejnë të njëjtën detyrë në një institucion tjetër.  Duhet të kemi një shpërndarje të duhur. Të ketë ulje për ata me të ardhura të larta, përfshirë edhe zyrtarët, në kurriz të institucioneve ku ka shpërndarje të parregullt. Duhet të merret një zgjidhje sistematike dhe të rregullohen gjërat”, tha së fundmi kryeministri Mickoski.

Në pak muaj – rritje e re!

Problemi me pagat e zyrtarëve nisi vitin e kaluar në mars, kur Gjykata Kushtetuese hoqi bazën fikse sipas së cilës llogariteshin pagat e zyrtarëve deri atëherë, në atë mënyrë që baza të shumëzohej me një koeficient kompleksiteti, i cili ishte nga 2 në 4.5 për funksionet më komplekse si presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri. Sipas Gjykatës Kushtetuese, në Ligjin për pagat e zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar ka pasur dy baza, gjë që nuk është e saktë, kështu që me heqjen e bazës fikse, si bazë për llogaritje ka mbetur paga mesatare nga viti paraprak. Me një bazë të tillë “të re”, pagat e zyrtarëve u rritën deri në 78 përqind, gjë që shkaktoi një ortek pakënaqësish dhe protestash te punëtorët.

Me një metodë të tillë përllogaritjeje, pagat e tyre duhet të ishin rritur edhe më shumë këtë vit, sepse paga mesatare rritet vit pas viti, pra për të parandaluar një rritje tjetër radikale, dhe në mungesë të ligjit sistemik të shpallur nga qeveria e kaluar në shkurt me ndryshimin e gjashtë ligjeve uli koeficientët e kompleksitetit. Me atë ndërhyrje, pagat e zyrtarëve mbetën të njëjta si pas rritjes së mëparshme.

Pas këtyre ndryshimeve ligjore, protestuan vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kundërshtuan para Gjykatës Kushtetuese koeficientët e reduktuar dhe kërkuan që Gjykata të anulonte ndryshimet në ligjet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë nismat.

Megjithatë, ndryshimet në gjashtë ligjet dhe koeficientët e reduktuar nuk do të ndalojnë rritjen e radhës të pagave të zyrtarëve në vitin e ardhshëm 2025, kur paga mesatare nga ky vit, 2024, do të jetë bazë për llogaritje. Paga mesatare vjetore është vazhdimisht në rritje, në vitin 2022 ishte 31.859 denarë, ndërsa në vitin 2023 36.614 denarë. Kur të vijë koha për të llogaritur sipas pagës mesatare për vitin 2024, të ardhurat zyrtare do të rriten sërish, por deri atëherë koeficientët nuk ulen sërish ose qeveria miraton ligjin e famshëm të sistemit kompleks.