Së shpejti do të dihen anëtarët e rinj të komisionit të përzier historik, paralajmëroi Mickoski
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që përbërja e re e Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të votohet në një nga dy seancat e ardhshme të qeverisë. Mickoski thotë se tashmë ka ide dhe mendime se kush do t’i zëvendësojnë anëtarët aktualë, por shton se ato do të specifikohen pasi të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, transmeton Portalb.mk.
“Këto ditë pres të shoh ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Ai ishte në Bled, sot shkon në Beograd, e më pas në një vend tjetër. Kur të shihemi, do t’i specifikojmë. Ka disa ide, disa mendime. Mendoj se në seancën e ardhshme apo në seancën pas saj do të kalojë përbërja e re e Komisionit që negocion për çështje historike me fqinjin tonë lindor, por edhe me fqinjin jugor”, tha sot Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së tij në TIRZ Shkup për ndërtimin e investimit të ri të kompanisë gjermane “BMZ Group” për prodhimin e baterive litiumit.
Mickoski njoftoi javën e kaluar ndryshimet e personelit në komisionin e përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore.
Sipas Mickoskit, përbërja aktuale e komisionit të përbashkët historik nga pala maqedonase nuk i ka përmbushur pritjet dhe nuk i ka mbrojtur interesat kombëtare dhe mohon se ndryshimet kanë prapavijë politike.
Ndryshimet i bëri të ditur kryetari i përbërjes maqedonase të komisionit të përzier maqedono-bullgar, Dragi Gjorgjiev, në një dalje televizive dje.
Ai bëri të ditur se tërheqja do të bëhet nga 15 shtatori. Sipas tij, Komisioni punoi në një atmosferë jashtëzakonisht të politizuar, me presion të fortë publik dhe me një metodologji që nuk mund të jepte rezultate nga puna e tij.
Gjorgjiev më herët gjatë ditës së djeshme në një intervistë për “Prizma” ka vlerësuar se mënyra se si kryeministri i ka paralajmëruar ndryshimet kadrovike në komisionin historik nga pala maqedonase është ndërhyrje brutale e politikës në punën e tij dhe komprometim i punës së anëtarëve të rinj.
Përgjigja që kryeministri i dha kësaj deklarate të Gjorgjievit është se “e ka komprometuar veten, nuk ka pasur nevojë që ta komprometojë askush në vitet e kaluara duke u gjunjëzuar para kabineteve ministrore dhe kryeministrore në vend që të merret me punët e tij”.
Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u krijua si rezultat i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht 2017.
Komisioni përfshin historianë dhe profesorë nga të dy vendet. Ekipi maqedonas udhëhiqet nga akademiku Dragi Gjorgjiev, anëtar i AShAM-it dhe profesor në Institutin e Historisë Kombëtare (IHK) në UKM.