Padi ndaj Dodikut, akuzohet për fyerjen e boshnjakëve
Nënpresidenti i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Igor Stojanoviq, njoftoi më 5 maj se ka dorëzuar padi në Zyrën e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës kundër presidentit të entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Stojanoviq tha, në një postim në Facebook, se Dodik ka bërë deklarata gjatë paraqitjeve publike, të cilat fyen dinjitetin e boshnjakëve dhe “shkelën të drejtën e fesë dhe kulturës, dhe liritë themelore, që garantohen nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare”.
Duke folur para gazetarëve, më 29 prill, pas një takimi të koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, Dodik prezantoi tezën që zgjidhje për Bosnje e Hercegovinën është që boshnjakët “të kthehen në fenë e paraardhësve të tyre, që Bosnje e Hercegovina të jetë me shumicë serbe”.
Duke mohuar identitetin e boshnjakëve, ai fyeu ata duke i quajtur “të konvertuar”.
Stojanoviq theksoi se ai ka obligim “institucional dhe moral që të reagojë kur kërcënohen themelet e shtetit – barazia, siguria dhe dinjiteti i qytetarëve të saj”.
“Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është opsion. Bosnje e Hercegovina është shtet i të gjithë njerëzve dhe qytetarëve të tij. Themelet e saj janë mbi luftën kundër fashizmit, mbi lirinë dhe barazinë. Është patriotizëm të mbrosh dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe të mbrosh vlerat mbi të cilat bazohet ky vend”, theksoi ai.
Zyra e Dodikut më herët nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se pse presidenti i Republikës Sërpska bën komente fyese ndaj boshnjakëve, dhe nëse ai beson se ato përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
Nenet e Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës ndalojnë “nxitjen publike dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore apo fetare”, dhe parashohin dënim me burgim.
Dodik është në kërkim nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës dhe nga Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës, për shkak se ai po refuzon të përgjigjet për marrje në pyetje për “sulm ndaj rendit kushtetues të vendit”.
Fletarrestim është lëshuar edhe për kryetarin e Asamblesë së Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, dhe për kryeministrin e entitetit, Radovan Vishkoviq, të cilët po ashtu dyshohet ta kenë kryer krimin e njëjtë.