RMV, pa përfshirjen e sektorit civil nuk mund të flitet për pluralizëm dhe hapje

Strategjia për Transparencë e Qeverisë është një dokument që tregoi se për të miratuar çfarëdo qoftë akti në interes të qytetarëve, institucioneve dhe të gjithë aktorëve shoqërorë, me synim për një transparencë dhe efikasitet më të madh dhe e gjithë kjo të kalojë nëpër filtrin e konsultimeve publike, nevojitet kohë. Por, kur dokumenti përfundimtar do ta marre formën e tij përfundimtare, publiku e di se kjo është arritur me përfshirjen e të gjithë palëve të interesuara, shkruan Meta.mk.

Pjesëmarrja e publikut në krijimin e politikave publike është diçka që në një kuptim më të gjerë do të nënkuptonte “nga qytetarët për qytetarët”. Rregulloret, strategjitë, planet e veprimit, ligjet, ndryshimet ligjore – të gjitha këto dokumente sillen në emër të të gjithë qytetarëve dhe në dobi të tyre, prandaj është plotësisht e natyrshme të dëgjohen mendimet, pikëpamjet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me çështjet që trajtohen në cilin do qoftë dokument që do të kishte implikime në jetën e qytetarëve.

Rëndësia e konsultimeve publike. Infografik nga Met.amk
Rëndësia e konsultimeve publike. Infografik nga Met.amk

Por, sa e zakonshme është kjo praktikë në shoqërinë e Maqedonisë, duke marrë parasysh numrin e madh të përvojave, kur qytetarët apo organizatat e shoqërisë civile nuk konsultohen fare apo nuk informohen në lidhje me miratimin e rregulloreve, strategjive apo ligjeve të reja, apo kur institucionet shtetërore apo publike hapin debate që zgjasin mezi 5 ditë, kur nuk ka fare hapësirë dhe kohë për sugjerime nga qytetarët apo organizatat e shoqërisë civile për çështje që i prekin drejtpërdrejt ata/ato?

Fondacioni Metamorfozis përmes Vlerësimit të qeverisjes së mirë në Maqedoninë e Veriut dhe rajon përmes Indeksit të hapjes – Kuvendi dhe pushteti ekzekutiv, rregullisht, duke përdorur katër parametra (qasshmëria, efikasiteti, transparenca dhe integriteti), ndër të tjera, i vë në dukje edhe konsultimet publike si faktor kyç për proceset demokratike. Në rekomandime pothuajse rregullisht theksohet se qeveria duhet ta zvogëlojë trendin e numrit të propozim-ligjeve që propozohen me procedure të shkurtuar, në mënyrë që të mos rrezikohet cilësia e tyre dhe/ose të ulet pjesëmarrja e palëve të interesuara në konsultime. Pastaj, me qëllim që të përmirësohen konsultimet me publikun gjatë planifikimit të buxhetit, rekomandohet të futen konsultimet publike, si dhe të publikohen informatat për shpenzimin e rezervave buxhetore.

Në raportin e Fondacionit Metamorfozis, të publikuar vitin e kaluar konstatohet se vetëm në gjashtë ministri janë regjistruar thirrje për debate publike në ueb-faqet e tyre (37,5 përqind), dhe se asnjëra nuk i publikon planet vjetore për debate publike.

Indeksi i fundit i Hapjes do të publikohet më 7 dhjetor të këtij viti, kur do të prezantohen të dhënat më të fundit lidhur me të njëjtat katër parametra.

Diskutim publik për Draft-strategjinë për transparencën e Qeverisë (2023-2026), e përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis. Foto: Qeveria e RMV-së.
Diskutim publik për Draft-strategjinë për transparencën e Qeverisë (2023-2026), e përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis. Foto: Qeveria e RMV-së.

Strategjia për transparencë – një shembull shkollor se si duhet të miratohen aktet me konsultime publike

Zyra e Zëvendëskryeministres së Qeverisë Përgjegjëse për Politikat për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska, ishte pjesë e hartimit të Strategjisë për Transparencë të qeverisë – një dokument që tregoi se për të miratuar çfarëdo qoftë akti në interes të qytetarëve, institucioneve dhe të gjithë aktorëve shoqërorë, me synim për një transparencë dhe efikasitet më të madh dhe e gjithë kjo të kalojë nëpër filtrin e konsultimeve publike, nevojitet kohë. Në çdo rast kjo është e vlefshme, duke qenë se kur dokumenti përfundimtar e merr formën e tij përfundimtare, publiku e di se kjo u arrit me përfshirjen e të gjithë palëve të interesuara.

“Mundësia për të shkëmbyer mendime, përvoja dhe qëndrime, për të shqyrtuar çështjet nga këndvështrime të ndryshme dhe për të dhënë propozime konkrete, padyshim çon në krijimin e zgjidhjeve më cilësore dhe më efektive. “Gjithashtu, konsultimet publike mundësojnë transparencë dhe llogaridhënie në procesin e hartimit të politikave, që në të njëjtën kohë ndihmon në rritjen e besimit të qytetarëve në institucione”, konsideron Gërkovska.

Strategjia për Transparencë e Qeverisë së RMV-së (2023-2026) i kaloi këto filtra për dhjetë muaj të tërë, për të marrë formën që do të ishte në dobi të të gjithëve dhe që i adreson sfidat, problemet dhe rekomandimet kryesore.

Procesi i përgatitjes së këtij produkti, ku Fondacioni Metamorfozis ofroi mbështetje të plotë në kuadër të bashkëpunimit me Zyrën e Zëvendëskryeministres përmes projektit “Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore në RMV”, zgjati nga janari deri në tetor të këtij viti, përpara se të merrte formën e dëshiruar.

Qeveria në janar të vitit 2023 e rishikoi dhe miratoi Informacionin për nevojën e zhvillimit të Strategjisë për Transparencë të QRMV-së për periudhën 2023-2026.

shkurt pasoi nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së RMV-së, përfaqësuar nga Gërkovska dhe Fondacionit Metamorfozis për mbështetje financiare dhe eksperte të procesit të përgatitjes së dokumentit.

Një muaj më vonë, në mars, u formua një grup pune për përgatitjen e Strategjisë, i përbërë nga një numër i madh institucionesh dhe organizatash të shoqërisë civile – Kabineti i Gërkovskës, Sekretariati i Përgjithshëm, përfaqësues nga Zyra e Presidentit të Shtetit, Ministria e Shoqërisë Informatike, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, SHGM-ja dhe përfaqësues të disa shoqatave të qytetarëve dhe fondacioneve (Metamorfozis, Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve, IRI – Instituti Republikan Ndërkombëtar, NDI – Instituti Kombëtar Demokratik, Qendra për Komunikime Qytetare…), përfaqësues të komunitetit akademik. Grupi punues ka mbajtur 9 takime dhe një punëtori dyditore.

Draft Strategjia me Planin e Veprimit (2023-2025) në gusht 2023 u publikua për konsultim me palët e interesuara në ENER.

Pas përfundimit të konsultimeve përmes ENER-it me palët e interesuara, u organizuan edhe dy debate publike, në shtator në Shkup dhe në tetor në Veles, ku morën pjesë gjithsej 162 pjesëmarrës.

Debati i dytë publik për Draft-strategjinë për transparencë. Foto: Qeveria e RMV-së.
Debati i dytë publik për Draft-strategjinë për transparencë. Foto: Qeveria e RMV-së.

Me shkrim, sugjerimet dhe komentet për Draft Strategjinë u dorëzuan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve, IRI, Qendra për komunikime civile dhe Instituti për digjitalizim, Ekonomi dhe Inovacion.

Në takimin e tij të fundit të punës, të mbajtur në tetor të vitit 2023, grupi punues ka shqyrtuar propozimet dhe komentet e pranuara për Draft Strategjinë dhe Planin e Veprimit dhe i ka pranuar ato, pas së cilës e përcaktoi tekstin përfundimtar dhe ia dorëzoi propozuesit për zbatimin e fazës së ardhshme deri në përcaktimin e propozimit përfundimtar të dokumentit para se të miratohet nga qeveria.

“Ne vlerësuam se në procesin e hartimit të Strategjisë së re për Transparencë, çelësi nuk është shpejtësia, por thellësia dhe gjithëpërfshirja në përgatitjen e zgjidhjeve që do t’i realizojnë në mënyrën më të mirë angazhimet e qeverisë dhe do t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve”  – thonë nga Kabineti i Gërkovskës.

Mendim të ngjashëm ka edhe Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtoreshë e programeve në Fondacionin Metamorfozis, e cila si shembull të mirë të konsultimeve publike gjatë miratimit të Strategjisë së Transparencës e veçon faktin se propozimet e gazetarëve të cilët nuk ishin identifikuar më parë nga grupi punues janë pranuar. Po të mos ishte ky proces, propozimet e gazetarëve as që do të ishin paraqitur si pikë për shqyrtim.

“Duke qenë se Metamorfozis synon të mundësojë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe llogaridhënien e autoriteteve, për ne ishte e një rëndësie të veçantë sigurimi i pjesëmarrjes së strukturuar të publikut në përgatitjen e Strategjisë përmes së cilës do të avancohet transparenca. Prandaj, në bashkëpunim me kabinetin e ZKQRMV-së Sllavica Gërkovska, kemi mundësuar një proces në të cilin palët e interesuara janë njoftuar me kohë për të gjitha fazat (duke filluar nga faza e hershme) në krijimin e Strategjisë, të përfshira në të gjitha fazat dhe në fund u sigurua informacion kthyes për propozimet e dhëna. Është e vërtetë se konsultimet zgjatën shumë, madje edhe më shumë se sa kishim planifikuar fillimisht, por ishte e rëndësishme për ne që të siguronim një proces të parashikueshëm për palët e interesuara, duke marrë propozime dhe duke respektuar mendimet e palëve të interesuara” – thotë Danillovska-Bajdevska.

Ajo shton se konsultimet paraqesin “pjesëmarrje të strukturuar të publikut”, që nënkupton një proces në të cilin paraprakisht është përcaktuar qëllimi dhe lënda e konsultimeve, e më pas ka mundësi për të kërkuar, marrë, analizuar dhe për t’u përgjigjur ndaj informacioneve kthyese nga palët e interesuara. Nëse kryhet në kohë dhe në mënyrë thelbësore, thotë ajo, procesi i konsultimeve mbledh njohuritë kolektive të palëve të interesuara për një temë, por gjithashtu ndihmon në mbledhjen e informacionit të disponueshëm empirik dhe analizave që janë në dispozicion të tyre.

“Është e rëndësishme që konsultimet të zhvillohen në një fazë të hershme të planifikimit të politikave kur përcaktohen prioritetet dhe objektivat në procesin e hartimit të politikave, megjithëse ato zakonisht zhvillohen në fazat e mëvonshme, kur dokumentet tashmë janë hartuar. Me një fjali, konsultimet publike janë të rëndësishme, sepse janë karakteristikë e menaxhimit transparent dhe të përgjegjshëm”, shpjegon Drejtoresha e programeve në Fondacionin Metamofozis.

Nevojitet transparencë më e madhe në hartimin e politikave dhe gjithëpërfshirje në proceset konsultative

Në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2021, theksohet se “organizatat civile vazhdojnë të punojnë, në përgjithësi, në një mjedis të favorshëm. Por, u vu në dukje se “nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar një proces konsultimi më në kohë, kuptimplotë dhe transparent me shoqërinë civile”. Në kontekstin e sfidave me të cilat përballen në rimëkëmbjen nga kriza e Kovid-19, nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë pritet të ndërtojnë partneritete afatgjata dhe të forcojnë bashkëpunimin ekzistues, thuhet në raport, i cili më tej shton se “korniza financiare sipas të cilës veprojnë organizatat e shoqërisë civile ende duhet të përmirësohet.”

Diçka e ngjashme vihet në dukje edhe në Raportin e KE-së për vitin 2022, ku thuhet se “shoqëria civile ka vazhduar të luajë një rol të rëndësishëm në proceset vendimmarrëse dhe monitorimin e aktiviteteve të shtetit, por ende nevojiten përpjekje për të përmirësuar transparencën në hartimin e politikave dhe gjithëpërfshirjen në proceset konsultative.”

Këto çështje rregullohen me Kodin e praktikave të mira për pjesëmarrjen e sektorit civil në procesin e hartimit të politikave, të miratuar që në vitin 2011, ku thuhet qartë se “bashkëpunimi i Qeverisë dhe organeve të administratës shtetërore me sektorin civil në procesin e hartimit të politikave mund të realizohet “në formën e informacionit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit”.

Strategjia e Qeverisë së RMV-së për bashkëpunim me dhe zhvillim të shoqërisë civile me planin e veprimit 2022-2024 përmban edhe rekomandime dhe përvoja të shumta.

Qeveria do të angazhohet dhe do të garantojë informacion kthyes për shoqërinë civile dhe palët e interesuara nga çdo proces konsultimi për politikat dhe ligjet, që do të thotë se propozim-ligjet do të miratohen në seancat e qeverisë që përmbajnë një raport me opinionet, sugjerimet dhe komentet e marra nga procesi i konsultimit me palët e interesuara, e ku do të theksohen arsyet pse nuk pranohen propozimet e dhëna, thuhet, ndër të tjera, në Strategjinë e Qeverisë për bashkëpunim me dhe zhvillim të shoqërisë civile.

Rregulloret dhe udhëzimet ekzistojnë, por sipas Danillovska-Bajdevskës, hapësirë për përmirësim në këtë sferë ende ekziston.

“Unë mendoj se kemi një kornizë solide ligjore që duhet të zbatohet në mënyrë adekuate. Për shembull, rastet e dhënies së informacionit kthyes për palët e interesuara mbi proceset e përgatitjes së ligjeve janë të rralla. Kurse, informacioni kthyes është motivi kryesor për përfshirjen e mëtejshme të publikut dhe palëve të interesuara në proceset e hartimit të ligjeve dhe kontribuon në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë së përgjithshme të vendit” – thotë ajo.

Mendim të ngjashëm ka edhe Goce Kocevski, Drejtor i programeve në Shoqatën e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, i cili thotë se nuk është plotësisht i kënaqur me procesin e zbatimit të konsultimeve publike.

“Nëse konsultimet tashmë zbatohen, sepse kanë filluar dhe të mos zbatohen, ato bëhen vetëm për të plotësuar një formë, por vërejtjet thelbësore të organizatave të shoqërisë civile pothuajse edhe nuk merren parasysh, sidomos në vitet e fundit. Vetë demokracia nuk do të thotë se mjaftojnë vendimet e 120 deputetëve, të ministrive dhe qeverisë. Sektori civil duhet të përfshihet në të gjithë procesin dhe të ketë rolin qendror në artikulimin e nevojave të qytetarëve, veçanërisht të qytetarëve që i përkasin grupeve të margjinalizuara. Nuk mund të flasim për pluralizëm dhe për hapje pa përfshirjen e sektorit civil” – thotë Kocevski.

Si shembuj kur publiku, gjegjësisht organizatat e shoqërisë civile nuk u përfshi në procese, ai i përmend ligjet që kanë të bëjnë me korridoret 8 dhe 10, më tej ndryshimin e Kodit Penal ku, siç thotë ai, grupi i punës që punoi për atë ligj u keqpërdor.

“Nëse rregullat e lojës janë të tilla, nuk ka nevojë të përfshihemi fare” – konsideron Kocevski.

Qeveria i pranon lëshimet e saj

Në vet Raportin mbi procesin e konsultimit gjatë përgatitjes së propozimeve të ligjeve, përdorimin e ENER-it dhe mekanizmave të tjerë për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në vitin 2022 të Sekretariatit të Përgjithshëm, vetë Qeveria zbulon dhe pranon lëshime në lidhje me sferën e konsultimeve publike me sektorin civil.

Përkundër detyrimit në nenin 68-a të Rregullores së Punës së Qeverisë, që ministria kompetente t’i publikojë propozimet e ligjeve në ueb-faqen e saj dhe në Regjistrin e Vetëm Kombëtar të Dispozitave, një pjesë e propozimeve të ligjeve të përcaktuara nga Qeveria në vitin 2022 nuk janë publikuar në ENER si mjet për informim dhe konsultim me palët e interesuara, thuhet në raport.

Për shembull, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave mundësoi konsultime përmes ENER-it për rreth gjysmën e ligjeve të përcaktuara, Ministria e Punës, Transportit dhe Lidhjeve, Drejtësisë dhe Financave, publikuan një pjesë të vogël të propozimeve në ENER.

Për sa i përket pyetjes se si e vlerësojnë kontributin e organizatave të shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave në vitin 2022, është shqetësues fakti se pothuajse gjysma e ministrive nuk janë deklaruar fare.

Pamje e ekranit, Raport mbi procesin e konsultimeve gjatë përgatitjes së propozimeve të ligjeve, përdorimin e ENER-it dhe mekanizmave të tjerë për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në vitin 2022

Në raport rekomandohet që organet e administratës shtetërore, kur analizojnë situatën në procesin e hartimit të politikave, të përdorin dokumentet (analizat, raportet, etj.) të përgatitura nga organizatat e shoqërisë civile. Për më tepër, rekomandohet që ministritë kompetente të detyrimisht t’i publikojnë propozimet e ligjeve në ENER dhe të mundësojnë konsultime me palët e interesuara së paku 20 ditë nga dita e publikimit.

Autore: Meri Jordanovska dhe Antonija Janevska

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.