Osmani: Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë marrëveshjen për anti-tanket “Javelin”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas aprovimit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) të kërkesës së Kosovës për blerjen e anti-tankeve “Javelin”, ka thënë se me këtë Kosova po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes, transmeton Anadolu.

Në komunikatën për media nga Zyra e Presidentes, Osmani ka thënë se kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Osmani si presidente dhe si Komandante Supreme e FSK-së, ka shprehur mirënjohje për institucionet kosovare të mbrojtjes të cilat siç tha ajo “për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-së”.

“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”, theksoi Osmani.

Ajo shprehu falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin tha se ka diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.

Presidentja ka cituar edhe deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane për këtë çështje, e cila thotë se “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes”.

Së fundmi, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh, ndërsa specifikoi se bëhet fjalë për 246 raketa anti-tanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka konsideruar këtë informacion si “një zhgënjim i madh për Serbinë”, por, ka shtuar se vendi tij së bashku me SHBA-në “do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”.