Osmani flet për shtensionimin e situatës në Republikën e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se tërheqja e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale të katër komunave veriore të Kosovës është hap i rëndësishëm që çon në normalizimin e rajonit, raporton Koha.net.

Kosova sot ka tërhequr edhe 25 për qind të forcave policore në dhe rreth objekteve komunale në veri, bazuar në marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian gjatë korrikut. Më herët, kishte tërhequr 25 përqindëshin e parë.

“Fillimi i tërheqjes së forcave speciale të Kosovës nga komunat veriore shënon një hap të rëndësishëm përpara: shtensionim, normalizim dhe rajoni stabil, siç është parashikuar me nëntë pikat nga udhërrëfyesi i OSBE-së”, ka shkruar Osmani.

Diplomati i Maqedonisë së Veriut ka thënë se presin edhe hapa të tjerë përpara për normalizimin e mëtejmë të situatës.

Osmani, në emër të OSBE-së në të cilën udhëheq Maqedonia e Veriut, më herët kishte publikuar një udhëzues për dalje nga kriza në veri të Kosovës i përbërë nga nëntë pika që synon shtensionimin e situatës.