Osman Demiri, Ngadhnjim Mehmeti, Tafa Imeri flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk sjell edhe sot personalitete që kanë veçuar emra dhe institucione me arritje nga të gjitha fushat. Nesër do shpallim dhe listën me emrat që janë përmendur më shumë për 2023 nga njerëzit të cilët iu përgjigjën pyetësorit tonë. 

Osman Demiri
Osman Demiri

Si ishte viti për fotografin Osman Demiri …

Viti 2023 për mua ka qenë një vit shumë i suksesshëm, duke filluar prej ekspozitës sime personale me titull “Nirvana” e cila u hap në Shkodër, pastaj Festivali i Ndërkombëtar i Fotografisë “Punctum” edicioni i dytë, që u mbajt në fund të tetorit, si dhe ekspozita personale “Çka mundet detaji, nuk mundet tërësia”, e cila u hap në nëntor në Fier.

Njerëzit më të suksesshëm të vitit 2023, nga ata që kam përcjellur dhe që më kanë bërë përshtypje të mirë, janë: Sulejman Rushiti, Safet Spahiu, Bashkim Mexhiti, Reshat Ameti, Dita Starova, Amra Ismani, Andi Ismaili  etj.

Nga institucionet më të suksesshme do të veçoja Teatrin e Gostivarit, i cili këtë vit ka realizuar 5 premiera, shumë repriza dhe aktivitete për promovimin e artit dhe kulturës, sidomos promovimin dhe mirëqenien e teatrit.

Intelegjenca Artificiale për mua është arritje e vitit, edhe pse është zbulim i kamotshëm, mirëpo këtë vit mori hovin e saj.

Ngadhnjim Mehmeti
Ngadhnjim Mehmeti

Të arriturat e disenjatorit dhe aktivistit të shoqërisë civile Ngadhnjim Mehmetit

Këtë vit fati im i mirë ishte të jem pjesëmarrës në IVLP (International Visitor Leadership Program) ku vizitova shtatë shtete të ndryshme në SHBA gjatë një harku kohor 4 javësh. Pata rastin të njihem me njerëz e institucione serioze, krijova shoqëri nga shtete të ndryshme nga të gjitha kontinentet, ku neve si skuadër na u prezantuan përvojat e atjeshme për aktivizmin civil dhe vullnetarizmin në komunitet.

Në fushën profesionale, “Eggra” fitoi dy çmime të argjendit në Graphis Poster 2024, një nga publikimet më prestigjioze të dizajnit grafik në SHBA. Bëhet fjalë për posterin e shfaqjes teatrale “Ballkoni” në Teatrin Shqiptar Shkup si dhe posterin e Tirana International Film Festival 2021.

Njerëz që veçon për këtë vit:

Ervin Hatibi (poet), Nehat Beqiri (piktor), Genc Mulliqi (skulptor), Iva Matiç (pilote), Drita Abdiu (paraglajderiste), Sabina Memishi Asllanaj (aktore), Vesel Qazimi (mjek), Ilir Vela (mjek), Ermal Kryeziu (dizajner grafik).

Institucione që veçon për këtë vit:

Qendra për bashkëpunim ballkanik “Loja” me Festivalin e filmit “Watchout”, Teatri Shqiptar Shkup me shfaqen “ADN”, Tirana Film Institute me Festivalin e Filmit TIFF 2023.

Arritje në shkencë, mjekësi, teknologji:

Arritjet në AI (Inteligjencën Artificiale) sa janë mahnitëse për teknologjinë, po aq mund të jenë të frikshme për njerëzimin. Disa mendimtarë shohin edhe tendenca dehumanizuese për ta zëvendësuar njeriun. Shumë gjëra do na i lehtësojë në jetë dhe shumë të tjera do na i vështirësojë, mbetet për tu parë. Përdorimi i AI në pastrimin etnik në Gaza që po shohim sot është trishtues.

Qytetet që veçon në rajon: Tirana, Prizreni, Selaniku.

Mesazhi i fundvitit, urimi:

Uroj të ndalojë gjenocidi mbi popullin e pambrojtur palestinez. Të ngremë zërin ndaj padrejtësive dhe së keqes. Të ndalet dhuna e të fortit ndaj të dobëtit kudo në botë. Paqe!

Mustafa Imeri
Mustafa Imeri

Arritjet e tenorit Mustafa Imeri

Arritje personale…

Me mbarsi po përfundojmë vitin dhe kisha veçuar koncertin ‘’Tre Tenorët’’ që kam realizuar në Strugë këtë vit.

Personalitete që veçon…

Në vendin tonë të zymtë nuk dot kisha veçuar asnjërin, ndërsa në rrethinë kombëtaren e futbollit shqiptar.

Institucione që veçon…

Asnjë institucion në vendin tonë.

Arritje në shkencë, teknologji…

Nuk kam rastis në ndonjë arritje të madhe në vendin tonë, po as në rajon, ndërsa bota është larg nesh.

Urimi i fundvitit…

Zoti na ndihmoftë gjithëve këtu ku jetojmë dhe të na japë forcë, durim dhe mençuri për t’i përmirësuar gjitha sferat e jetës për fëmijët tanë!