OSBE/ODIHR: Disa portale në RMV krijohen vetëm për të marrë para shtetërore për zgjedhjet

Zgjedhjet në Maqedoni ishin të organizuara mirë, por kishte retorikë të ashpër dhe mungon rregullimi në sferën e portaleve online. Ky është vlerësimi i përgjithshëm i vëzhguesve të OSBE/ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 24 prill, transmeton Portalb.mk.

Shefja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Gillian Stirk tha dje se i gjithë procesi zgjedhor po vlerësohet nga disa aspekte, duke filluar nga kuadri ligjor, deri te administrata zgjedhore, si dhe çështje që lidhen me financimin e fushatës dhe rolin e mediave.

“Ndërsa Maqedonia e Veriut ka një peizazh të larmishëm mediatik dhe liria e medias përgjithësisht respektohet, media online është kryesisht e parregulluar, gjë që nënvizon nevojën për reforma të mëtejshme. Transmetuesi publik mbuloi të gjithë kandidatët për president në përputhje me kërkesat ligjore, ndërsa mediat private paraqitën informacion adekuat për kandidatët për president në tërësi. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i portaleve në internet duket se janë krijuar me të vetmin qëllim marrjen e fondeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore dhe, në disa raste, kanalizimin e këtyre fondeve te partitë politike”, thuhet në vlerësimin e ODIHR-it dhe Strasburgut.

Sipas tyre, votuesit kishin vend për zgjedhje, por retorika u bë shumë negative me afrimin e ditës së zgjedhjeve. Vëzhguesit vunë në dukje se mjetet financiare të siguruara nga shteti për fushatën krijuan një avantazh për disa parti politike, me një vërejtje të përgjithshme se ka shumë boshllëqe dhe mospërputhje në legjislacionin zgjedhor që lënë hapësirë ​​për ndërhyrje nga partitë politike dhe për të marrë qasje në mënyrë disproporcionale më të madhe në hapësira dhe fondet mediatike.

“Retorika gjithnjë e më negative ishte për të ardhur keq dhe reflektonte një fragmentim më të gjerë politik dhe ndarje etnike. Në të njëjtën kohë, boshllëqet në ligjin zgjedhor dhe miratimi i nxituar i ndryshimeve legjislative nuk e kanë trajtuar nevojën e kahershme për reformë ligjore. Duhet vullnet më i madh politik për të kapërcyer këto mangësi”, tha Stirk.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni u vëzhguan nga 234 vëzhgues nga 33 vende, të përbërë nga 216 ekspertë të ODIHR-it dhe 18 ekspertë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Raporti i tyre përfundimtar, së bashku me rekomandimet, do të jenë gati brenda disa muajsh.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 nga numri i përgjithshëm i votuesve 1.1814.317 votuan 867 qytetarë apo 49,94%, prej të cilëve numri i votave të vlefshme ishte 881.272 ndërsa vota të pavlefshme dolën 24.562. Në bazë të rezultateve të fundit, dallimi mes Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit ishte mbi 37 mijë vota, ndërsa mes Siljana Davkovës dhe Stevo Pendarovskit ishte mbi 182 mijë vota.