ODAS Shkup: Të zgjidhet problemi me transportin, nxënësit dhe studentët i keni lënë pa mënyrë për të shkuar në shkollë e fakultet

ODAS (Organizata për Dialog dhe Afirmim të Nxënësve të shkollave të mesme dhe Studentëve) reagoi ndaj transportit publik jofunksional dhe jo të besueshëm që mund t’i lërë nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët pa mënyrë për të shkuar në shkollë ose fakultet, transmeton Portalb.mk.

“Ndalesa dhe ndërprerja aktuale në sistemin e transportit publik në Qytetin e Shkupit ka sjellë mundësinë që nxënësit dhe studentët të mbeten pa një mënyrë të besueshme dhe të përballueshme për të shkuar në shkollë apo fakultet. Mungesa e transportit publik të besueshëm është bërë pengesë për arsim të përballueshëm për shumë studentë”, thonë nga ODAS.

Ata kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që të angazhohet për zgjidhjen e këtij problemi deri në shtator, gjegjësisht në fillim të vitit akademik, gjatë të cilit do të sigurohen autobusë të sigurt dhe funksional dhe do të sigurohet përkohshmëria e linjave.

“Apelojmë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt që nxënësit dhe studentët ta nisin denjësisht vitin akademik/shkollor”, reagojnë nga ODAS.

Kujtojmë se keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit në vend se të qartësohen, kulmuan pas takimit të mbajtur të hënën (19.08) në mes të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.

Para fillimit të vitit shkollor qyteti është lënë në mëshirë të fatit. Në vend të zgjidhjes së problemeve me transportin publik, funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe plehrave në të cilat po mbytet qyteti, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, pa plane konkrete se si të gjejnë zgjidhje për problemet e shumta në të cilat kryeqyteti po fundoset.

Pasi ministri i Pushtetit Lokal Zlatko Perinski pas takimit të së hënës shprehu dyshim se gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur, kryetarja Danela Arsovska në një konferencë për media në Qytetin e Shkupit sulmoi me të gjitha armët këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët “një herë i kanë qëndruar pas dhe kanë premtuar” – ndërsa tani me mosvotimin e tyre po bllokojnë pikërisht realizimin e atyre premtimeve në Qytetin e Shkupit.

Kryeministri Mickoski nga ana tjetër tha se nga pozita e liderit të VMRO-DPMNE-së do të kërkojë nga këshilltarët në Qytetin e Shkupit nga radhët e partisë së tij që t’i mbështesin programet, siç kërkoi kryetarja Danela Arsovska. Por, sipas Mickoskit, edhe nëse miratohen programet, asgjë nuk do të ndryshojë në kryeqytet.

Ndërkohë, dje (22.08), kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit ka shpalosur para opinionit në pika të shkurta planin për zgjidhjen e kaosit me transportin publik dhe mbeturinat në kryeqytet.