Nxënësi në shkollën fillore në Shkup drejtoi armën plastike drejt nxënësve të tjerë

Një fëmijë në shkollën fillore në Çair të Shkupit ka shkuar në shkollë me armë plastike dhe e drejtoi drejt nxënësve të tjerë. Më pas, ai ia dorëzoi armën drejtoreshës, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, të cilën e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

“Me datë 05.05.2023 rreth orës 12 në objektin e një shkolle fillore në zonën e Çairit, Shkup, zyrtarë policorë në prani të prindërve, mësuesit, psikologut dhe drejtoreshës së shkollës kanë kryer bisedë zyrtare me një nxënës të mitur në shkollë, duke vepruar sipas një raportimi të mëparshëm nga drejtoresha në shkollë se ai kishte nxjerrë një armë plastike (lodër) dhe ia drejtoi nxënësve të tjerë dhe më pas ia kishte dorëzuar asaj”, thanë nga MPB.

Për rastin janë njoftuar prokurori publik për të mitur dhe Qendra për Punë Sociale.

Incidente të tilla dhe të ngjashme si në Shkup janë vërejtur edhe në qytete të tjera të rajonit pas masakrës në një shkollë fillore në Beograd.

Në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua herët në mëngjesin e sotëm pas një kontrolli të gjerë nga pjesëtarët e Ministrisë.