Nuk është e vërtetë që pandemia e Covid-it ishte planifikuar disa dekada më parë

Pretendimi i postimit se “e ashtuquajtura pandemi ishte planifikuar dhe koordinuar dekada më parë” nuk bazohet në fakt. Ajo që u koordinua ishte përgjigja ndaj pandemisë, pra masat e marra për mbrojtjen e popullatës ishin të ngjashme në disa vende, ku përfshiheshin karantina dhe mbajtja e maskave – sepse është e justifikuar dhe e qëndrueshme nga pikëpamja epidemiologjike, domethënë masat janë çështje e efektshmërisë së provuar shkencërisht, Virusi u izolua më 7 janar 2020, dhe ishte i ri, jo i “planifikuar” dhe e gjithë bota ishte e kufizuar në trajtimin e pasojave të koronavirusit derisa u shfaqën vaksinat që kontribuan në imunitetin kolektiv, shkruan Vërtetmatësi.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:

AUSTRALI
Agjenda juaj globale është zbuluar. Unë i dua fëmijët e mi dhe kujdesem për nipërit e mi. Australia do të jetë një vend i lirë në të ardhmen.
Senatori australian Malcolm Roberts: E ashtuquajtura “pandemia” ishte planifikuar dekada më parë dhe e koordinuar në mbarë botën.
Por ne do t’ju ndjekim penalisht ju që jeni fajtorë. Ne do t’ju ndjekim penalisht dhe do t’ju kërkojmë llogari.

Së bashku me postimin, shpërndahet një video në të cilën senatori Roberts flet për “një plan që është planifikuar për dekada globalisht”, “ligjet u miratuan për të kontrolluar mjekët dhe njerëzit”, por tani “njerëzit po zgjohen dhe përgjegjësit do të jenë të ndjekur penalisht dhe se në të ardhmen agjenda globale do të ekspozohet”.

Siç shkruajnë kontrolluesit e fakteve të Politifact, në kundërshtim me atë që pretendon Roberts, pandemia e Covid-19 nuk ishte e sajuar apo planifikuar.

Në pamje, Roberts mund të shihet në një ngjarje të quajtur “Covid 2.0 Investigation”. Disa folës në këtë ngjarje kritikuan kufizimet e qeverisë për pandeminë dhe vaksinimin kundër Covid-19. Por ky nuk është një gjyq për krime kundër njerëzimit, por një ngjarje, shkruan Politifact.

Siç ka analizuar më parë Vërtetmatësi, ishte senatori Malcolm Roberts ai që i bëri pyetje Drejtorit Mjekësor të Pfizer në Australi Dr. Krishan Thiru dhe Dr. Brian Hewitt. Një nga pyetjet e tij ishte nëse një grup vaksine i importuar posaçërisht për punonjësit e Pfizer në Australi dhe që nuk ishte testuar nga TGA ishte përdorur gjatë vaksinimit.

Pyetjet e tij në një mënyrë ose në një tjetër provokuan përgjigje që më vonë përhapën teori të ndryshme konspirative, si për shembull gënjeshtrat se punonjësit e Pfizer morën “vaksina speciale”, gjë që natyrisht nuk është e vërtetë. Teoricienët e konspiracionit e kanë shpenzuar të gjithë pandeminë duke dezinformuar për “plandeminë”, një plan të supozuar për shpopullim, kontroll masiv të qytetarëve dhe dominim botëror. Arsyeja e këtyre rrëfimeve ishte se si masë epidemiologjike disa dekadash u përdorën maskat dhe izolimi, gjë që për teoricienët e konspiracionit ishte arsye e mjaftueshme për të akuzuar autoritetet botërore se po planifikonin një mbyllje të tillë dhe po gëzonin ushtrimin e kontrollit dhe heqjen e lirive të popullatës.

Përkundrejt këtij manipulimi, spitalet dhe statistikat ditore të Ministrisë së Shëndetësisë shfaqën një pamje tjetër. Ndërsa grupt anti vaksinë në vend dhe në botë po protestonin, ndodhi që çdo ditë të vdesin 40 persona nga Covidi! Logjika është e paqëndrueshme dhe manipuluese, siç është e gjithë teoria e konspiracionit që rrethon “plandeminë”. Virusi është vërtetuar dhe izoluar.

Qeveritë duhej të reagonin për të mbrojtur popullsinë e tyre, veçanërisht gjatë pandemisë kur vaksinat nuk ishin zhvilluar ende. Ato karantina dhe izolime, me maska, shkaktuan revoltë te qytetarët dhe i bënë ata më të ndjeshëm ndaj marrjes së teorive të ndryshme konspirative.

Ekziston gjithashtu një dokumentar i quajtur “Plandemia” që u premton shikuesve se do të “ekspozojë elitat politike dhe shkencore që shtynë mashtrimin në sistemin tonë global të kujdesit shëndetësor”, sipas kontrolluesve të fakteve të FactCheck. Videoja 26-minutëshe përzien teori konspirative për pandeminë e koronavirusit dhe origjinën e saj, vaksinat, trajtimin e Covid-19, etj.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, u paraqitën një gamë e gjerë mashtrimesh, si për shembull se Covid ishte një “plan shpopullimi” pavarësisht faktit se popullsia e botës po rritet.

Deklarata në publikimin që po shqyrtojmë se “e ashtuquajtura pandemi është planifikuar dhe koordinuar dekada më parë”, nuk bazohet në fakte. Ajo që u koordinua ishte përgjigja ndaj pandemisë, domethënë masat e marra për mbrojtjen e popullsisë ishin të ngjashme në disa vende, ku përfshiheshin karantina dhe mbajtja e maskave – sepse është e justifikuar dhe e qëndrueshme nga pikëpamja epidemiologjike, domethënë është çështje shkencore dhe masat janë të provuara dhe efektive. Virusi u izolua më 7 janar 2020, ishte i ri, jo i “planifikuar” dhe bota u bllokua plotësisht në trajtimin e pasojave të koronavirusit derisa u shfaqën vaksinat që kontribuan në imunitetin kolektiv. Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë. Nuk është e vërtetë që pandemia e Covid-it ishte planifikuar para disa dekadave.