Norvegjia do t’i japë Ukrainës mbi 7 miliardë euro në vitin 2027

Norvegjia planifikon t’i japë Ukrainës edhe 85 miliardë korona norvegjeze (7.8 miliardë euro) ndihmë financiare gjatë vitit fiskal 2027, në të njëjtin nivel me shumën e dhënë në vitin 2026, transmeton Portalb.mk.

Këtë e ka bërë të ditur Qeveria në Osllo.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, dhe liderë nga vendet nordike dhe baltike po vizitojnë të dielën Kievin, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në luftën me Rusinë.

Store ka bërë të ditur se ndihma e Norvegjisë do të përdoret si për shpenzime ushtarake, ashtu edhe për ato humanitare.

Në komentet e publikuara të shtunën, presidenti rus Vlladimir Putin tha se Kievi kishte hapur “kutinë e Pandorës” me sulmet ndaj objektivave ekonomike në Rusi dhe se Moska do të godasë “sektorët më të ndjeshëm ekonomikë” të Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina po intensifikojnë fushatat me dronë, me synimin për të dëmtuar infrastrukturën ekonomike të njëra-tjetrës.

Luftimet në fushëbetejë po i afrohen 4 vjet e gjysmë nga fillimi i luftës së nisur nga Moska.