Një shtetas turk tentoi t’i jepte ryshfet një polici në pikën kufitare Bllacë, PTHP Shkup kërkoi paraburgim

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një shtetasi turk 53-vjeçar, i cili dyshohet se ka tentuar t’i japë ryshfet punonjësit të policisë në vendkalimin kufitar “Bllacë e Poshtme”, transmeton Portalb.mk.

Sipas nenit 358 të Kodit Penal, shtetasi i huaj, siç bëhet e ditur nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ka kryer veprën penale të ryshfetit gjatë ditës së djeshme duke tentuar të hyjë në vend, ku më pas është arrestuar menjëherë.

Përkatësisht, i dyshuari K.S. herët në mëngjes rreth orës 3 ka aplikuar për hyrje në vend në pikën kufitare me Kosovën, por pas kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai tashmë në 180 ditët e fundit kishte shfrytëzuar qëndrimin e lejuar turistik prej 90 ditësh, për çka ai u kthe mbrapsht.

Gjysmë ore më vonë ai u kthye dhe i ofroi drejtorit të turnit 100 euro për ta lejuar hyrjen në Maqedoninë e Veriut.

“Ai i ka dhënë udhëheqësit të turnit dokumentin e udhëtimit dhe një kartëmonedhë 100 euro në të, me kërkesë që të lejohet të hyjë në RMV. K.S. menjëherë i është hequr liria për veprën penale të dhënies së ryshfetit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Prokurori publik kompetent i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit për shkak se është shtetas i huaj i cili nuk ka qëndrim të rregulluar në vend dhe ekziston rrezik real i arratisjes.