Shkruan: Ardita Osmani
Në Tiranë po zhvillohet këto ditë Panairi i Librit, një nga ato momente të rralla kur duket sikur jeta intelektuale në hapësirën shqiptare merr vrull. Autorë të shumtë, botime të reja, diskutime publike, një energji që prej kohësh lëviz mes Tiranës dhe Prishtinës, duke ushqyer letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Ndërkohë, jashtë vendit po fitojnë terren libra të shkruar në gjuhë të huaja, nga gra shqiptare me qasje të ndryshme, nga ajo akademike te ajo narrative. Mjafton të përmenden Girlhood at War e Vjosa Mulit, profesoreshë e shkencave politike në Holandë me origjinë kosovare, ose romani i ri, Indignity (Të poshtëruar), i Lea Ypit profesoreshë e shkencave politike në Londër me origjinë shqiptare, që vjen nga një prej zërave tashmë të konsoliduar në debatin ndërkombëtar.
E megjithatë, nuk është aspak e habitshme që mes gjithë këtyre zërave mungojnë autorë e autore shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Kjo mungesë nuk është vetëm çështje përfaqësimi, por pasqyron një problem më të thellë dhe strukturor: mungesën e infrastrukturës kulturore bazike, mbi të cilën mbahet gjallë kultura letrare.
Po të shohësh nga afër, situata është paradoksale. Ekzistojnë biblioteka publike me fonde në shqip, institucione kulturore dhe evente të herëpashershme si Ditët e Alfabetit. Por këto nuk e zgjidhin boshllëkun e madh të infrastrukturës së përditshme.
Mjafton të hapësh Google Maps, të kërkosh “librari” dhe të përjashtosh bibliotekat universitare, për të kuptuar boshllëkun: libraritë mungojnë. Në Gostivar, numri është zero. Në Tetovë, vetëm një e vetme. Dhe këtu shfaqet paradoksi ku ekziston një popullsi e madhe shqiptare, me potencial kulturor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, por mungon infrastruktura minimale që e mban gjallë qarkullimin e ideve. Mungon qarkullimi elementar i librit. Mungon kontakti i vazhdueshëm mes lexuesve dhe tekstit.
Dhe megjithëse shpesh thuhet se projektet kulturore në gjuhën shqipe marrin më pak financime publike se ato maqedonase, gjë që në shumë raste është e vërtetë, problemi nuk mbaron këtu. Madje ky është vetëm një aspekt sipërfaqësor.
Çfarë mungon në mënyrë më të thellë është cilësia e prodhimit kulturor, dhe cilësia nuk vjen thjesht nga buxheti, por nga interesi i njerëzve vetë. Nga një publik që kërkon, ndjek dhe merr pjesë në debatet kulturore që ndodhin përtej kufijve të qytetit, rajonit, shtetit. Pa këtë qarkullim idesh, me Tiranën, Prishtinën, diasporën dhe botën më të gjerë, kultura lokale izolohet, zvogëlohet, humbet horizontin e sfidës dhe të ambicies.
Si mund të lindin autorë e autore në një terren ku mungon vetë zinxhiri jetik i kulturës së shkrimit e leximit? Pa librari nuk ka qarkullim librash; pa treg nuk ka botime; pa hapësira diskutimi nuk ka mendim kritik. Dhe pa mendim kritik, kultura rrezikon të reduktohet në ritual, në identitet të ngrirë, në formë pa përmbajtje.
Prandaj sfida nuk është vetëm të kërkohen më shumë fonde. Sfida është të kërkohen më shumë kërshëri kulturore, më shumë hapje ndaj botës, më shumë qarkullim idesh. Kultura nuk rritet në vakum, ajo kërkon komunitet aktiv, të etur për të lexuar, menduar dhe debatuar.
Një qytet pa librari është një qytet pa ide, pa debate publike, pa hapësira ku formohet shprehia e pyetjes, e dyshimit, e reflektimit. Në mungesë të leximit të përbashkët, klubeve të librit, eventeve kulturore, diskutimeve filozofike e letrare, mendimi kritik zvogëlohet, venitet dhe përfundimisht zhduket. Pikërisht për këtë arsye, debati mbi infrastrukturën kulturore në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje periferike, por ështe thelbësore për shoqërinë dhe për demokracinë.
Sepse pa lexues nuk ka autorë; pa libra nuk ka treg; pa debat nuk ka kulturë.
E mbyll këtë shkrim me një pyetje të thjeshtë, por thelbësore:
Kur ishte hera e fundit që keni blerë një libër dhe e keni lexuar nga fillimi në fund?