Një pjesë e madhe e grave të reja në RMV ndjehen të pasigurta në hapësirat publike

Misioni i OSBE-së në Shkup sot prezantoi një hulumtim të ri mbi dhunën online dhe offline ndaj grave të reja dhe vajzave në jetën publike. Hulumtimi nënvizon se një pjesë e rëndësishme e grave të reja ndjehen të pasigurta në hapësirat publike për shkak të gjinisë së tyre, për shkak të dobësive të formuara nga faktorët socio-ekonomikë, arsimi dhe vendbanimi. Madje thekson shkallën e ulët të raportimit dhe nevojën për koordinim të avancuar, qasje më të lehtë dhe besim në përgjigjen institucionale, transmeton Portalb.mk.

Gjatë hapjes së ngjarjes, Ambasadori Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi rëndësinë e shndërrimit të hulumtimit në ndikim të qëndrueshëm:

“Kur ndodh dhuna, heshtja nuk është opsion. Ne të gjithë kemi obligimin të reagojmë dhe ta paraqesim atë. Raportimet e dhunës duhet të trajtohen si prioritet dhe institucionet janë të detyruara të veprojnë me kujdesin e duhur.”

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve Fatmir Limani nënvizoi rëndësinë e mbështetjes sociale të koordinuar.

“Ne duhet ndërtuar një sistem për reagim të shpejtë, në mënyrë humane dhe të koordinuar, që asnjë grua të mos mbetet vetëm. “Ne jemi duke përgatitur një Strategji të re për Adresimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunës në Familje për 2026–2033, së bashku me një Plan të Veprimit për 2025–2029. Këto dokumente strategjike do të udhëzojnë mbrojtje në kohë dhe efektive për çdo grua”, tha Limani.

Zhvilluar në vitin 2025 nga ana e firmës hulumtuese Indago, studimi bazohet në një mostër që ngërthen përfaqësimin e 600 grave të reja dhe vajzave të moshës 18 deri më 29 vjeçare nga të gjitha rajonet planifikuese në vend, kompletuar nga fokus grupe me shoqërinë civile dhe ekspertë. Ofron njohuri të detajuara mbi perceptimin e sigurisë, modelet e raportimit, përgjigjet institucionale dhe rreziqet në rritje, përfshirë dhunën digjitale.

Përmes Grupit të Punës për Parandalimin e Dhunës midis të Rinjve, Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të punojë me palët e interesuara nacionale për të integruar rekomandimet e vërtetuara në zhvillimin e politikave dhe në masat praktike, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë dhe ndikim të prekshëm.

Ndryshe, më shumë se 60 përqind e grave në vend janë përballur të paktën një herë me dhunën në internet dhe një në dhjetë gra është viktimë e abuzimit në internet çdo ditë, kjo është arsyeja pse Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ngriti ndërgjegjësimin për këtë problem përmes fushatës, njoftoi UNDP në tetor. “Edhe dhuna online lë plagë” quhet fushata, qëllimi i së cilës është edukimi i qytetarëve dhe njohja dhe raportimi i dhunës seksuale në internet.

Një sondazh i kryer nga UNDP tregoi se rreth 70 përqind e grave që ishin viktima të dhunës në internet nuk e raportuan rastin.

“Dhuna është çdo formë e pushtimit të privatësisë, përndjekjes, ngacmimit, gjuhës së urrejtjes, ndarjes së përmbajtjes personale pa pëlqim, abuzimit seksual të bazuar në foto ose video,qasje e paautorizuar në një sistem kompjuterik, vjedhje identiteti dhe dhunë e drejtpërdrejtë. Viktimat çdo rast të tillë mund ta lajmërojnë në stacionin më të afërt policor ose në [email protected]”, theksojnë nga aty.