RMV, një në 10 gra është viktimë e abuzimit në internet çdo ditë

Më shumë se 60 përqind e grave në vend janë përballur të paktën një herë me dhunën në internet dhe një në dhjetë gra është viktimë e abuzimit në internet çdo ditë, kjo është arsyeja pse Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ngriti ndërgjegjësimin për këtë problem përmes fushatës, njoftojnë nga UNDP. “Edhe dhuna online lë plagë” quhet fushata, qëllimi i së cilës është edukimi i qytetarëve dhe njohja dhe raportimi i dhunës seksuale në internet, transmeton Portalb.mk.

“Ngacmimi seksual dhe ndjekja në internet dhe shpërndarja publike e përmbajtjes intime pa leje janë format me rritje më të shpejtë të dhunës. Fushata do të zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale dhe përmes saj do t’u drejtohemi të rinjve, me vëmendje të veçantë grave dhe vajzave adoleshente, sepse të gjitha hulumtimet dhe të dhënat tregojnë se pjesëtarët e kësaj grup-moshe janë viktimat më të zakonshme”, thuhet në komunikatën e UNDP-së.

Siç vlerësohet nga atje, pasojat e dhunës në internet janë një realitet me të cilin përballen shumë të rinj, veçanërisht vajzat dhe gratë.

“Shpesh është e padukshme për të tjerët, por lë plagë të thella tek viktimat. Është koha për të njohur këtë problem dhe për të filluar trajtimin e tij, sepse siguria në internet është një e drejtë, jo një privilegj. Interneti duhet të jetë një hapësirë ​​e sigurt për të gjithë, pavarësisht nga gjinia, mosha, vendbanimi apo niveli i arsimimit”, thotë Armen Grigorjan, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së.

Një sondazh i kryer nga UNDP tregoi se rreth 70 përqind e grave që ishin viktima të dhunës në internet nuk e raportuan rastin.

“Dhuna është çdo formë e pushtimit të privatësisë, përndjekjes, ngacmimit, gjuhës së urrejtjes, ndarjes së përmbajtjes personale pa pëlqim, abuzimit seksual të bazuar në foto ose video,qasje e paautorizuar në një sistem kompjuterik, vjedhje identiteti dhe dhunë e drejtpërdrejtë. Viktimat çdo rast të tillë mund ta lajmërojnë në stacionin më të afërt policor ose në [email protected]”, theksojnë nga aty.

Kujtojmë se më shumë se 370 milionë vajza dhe gra, ose një në tetë në mbarë botën, kanë qenë viktima të përdhunimit ose sulmit seksual para moshës 18 vjeçare. Ky numër rritet në 650 milionë, ose një në pesë, kur merren parasysh edhe format “jo kontaktuese” të dhunës seksuale, si abuzimi në internet ose ai verbal, vlerësoi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në hulumtimin e parë global të këtij problemit.

Ndryshe, Policia e Maqedonisë së Veriut do të mund të përforcojë kapacitetet për luftimin e dhunës në familje përmes aplikacionit mobil që u promovua më 21 shtator edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përmes aplikacionit do të përforcohen kapacitet e policisë aktuale dhe kadetëve gjatë trajnimit.