Një Jaltë e re?!

Fjalimi tronditës i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth se “nuk ka kthim në kufijtë e vitit 2014” dhe se “anëtarësimi i Ukrainës në NATO është jorealist” – tronditi gjithë botën. Duket se e shëmtuara ka filluar sërish të shitet si diçka krejt normale. Një tjetër provë se drejtësia del në sipërfaqe pasi të mbytet! Një e keqe shtesë është se “zgjidhja do të mbështetet nga trupat ndërkombëtare, por jo nga NATO”! Tani askush në Evropë më nuk është i sigurt se Putini do ndryshoj vetëm kufijtë e Ukrainës. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi do të forcojë më tej ligjin e më të fortëve. Në fund të fundit, do të ishte një ftesë për të gjithë diktatorët e botës për të sulmuar fqinjët e tyre plotësisht pa u pandëshkuar.

“Nuk ka anëtarësim në NATO, nuk ka ushtarë në terren?” “Duket si braktisja e Ukrainës,” tha ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis për X, duke reaguar ndaj komenteve të bëra nga Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA, Pete Hegseth, përpara Konferencës së Sigurisë në Mynih. Anëtarët e NATO-s kanë argumentuar vazhdimisht se Ukraina duhet të bëhet anëtare e Aleancës në të ardhmen. Vetëm disa kohë më parë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer i tha Zelenskit se Ukraina ishte në “rrugë të pakthyeshme” drejt anëtarësimit. Por dëshprimet më të mëdha i gjejmë mu aty ku nuk i presim.

Së fundi, Trump jo vetëm që është i vendosur të detyrojë Evropën të marrë përsipër shumicën e përgjegjësive financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e Ukrainës, duke përfshirë një forcë të mundshme paqeruajtëse që nuk do të përfshinte trupat amerikane, por ai është gjithashtu i gatshëm të minojë Nenin 5 të NATO-s për “një përgjigje kolektive kundër agresorit”. Kështu që nëse anëtarët e Aleancës sulmohen, në vend të mbrojtjes kolektive, ata do të mund të marrin vetëm “ndihmë” nga anëtarët e tjerë. Ministri britanik i Mbrojtjes John Healy, me sa duket i dekurajuar nga amerikanët, deklaroi – “Ne dëgjuam thirrjen e tij për kombet evropiane që të forcohen. Ne jemi, dhe do të jemi”!

E tronditur nga qëndrimi i SHBA-së, ish-ministrja e Jashtme kroate Vesna Pusic deklaroi se – “Putini ka fituar me diplomaci gjithçka që nuk ka mundur ta fitojë në fushën e betejës”! Kanadaja, e cila konsiderohet anëtare relevante e NATO-s, ka shprehur mendimin se nuk mund të ketë një marrëveshje me Rusinë pa pëlqimin e Ukrainës. Kjo u konfirmua nga liderë të shumtë evropianë dhe botërorë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Por dihet që në politikë forca varros gjithmonë drejtësinë.

Atuti kryesor i Trumpit është “logjika” e paqes me Rusinë në mënyrë që t’i kushtojmë të gjithë forcën tonë “betejës” kundër Kinës, e cila është kundërshtari (nëse jo armiku) më i madh i Shteteve të Bashkuara. Politika aktuale e Trump ndryshon vetëm në nuanca nga presidentët amerikanë të fillimit të shekullit të 19-të, Thomas Jefferson dhe James Monroe, të cilët supozonin se SHBA duhet të kujdeset vetëm për interesat e veta dhe të mos kujdeset për të tjerët. Asokohe ata nuk u interesuan as për aleatin e tyre natyror, Britaninë e Madhe! Prandaj, nuk duhet të habitemi aspak nëse amerikanët po tërheqin trupat e tyre nga Evropa. Disa e quajnë fundi i NATO-s! Por ndoshta kjo është ajo. Europa tashmë ndihet e braktisur dhe kjo është një ndjenjë e tmerrshme.

Pas dy shekujsh, Trump po e kthen botën në ato kushte, kur fuqitë evropiane të kohës vizatonin harta për ata më të vegjlit, të cilat më pas i zbatonin me forcë. Tani, për ta bërë këtë, duhet të anashkaloni rendin tuaj juridik të brendshëm sepse si shtete jeni nënshkrues i Kartës së OKB-së dhe i mijëra marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare (të cilat janë pjesë e rendit të brendshëm juridik). Për të bërë atë që dëshironi, duhet të tërhiqeni nga OKB-ja. Duhet të tërhiqeni institucionalisht nga Karta e OKB-së dhe qindra akte të tjera, gjë që nuk është e mundur as në ëndërr. Megjithatë, praktika në terren po lëviz në drejtim të kundërt nga një rend i tillë imperativ juridik.

Politika ndërkombëtare e kaosit po troket në derën tonë. Tani askush nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë Izraelin të marrë nën kontroll territoret përreth. Askush nuk mund t’i bëjë asgjë Turqisë për veriun e Sirisë, Kinës për Tajvanin, Indisë për një pjesë të Tibetit dhe Kashmirit, Pakistanit për një pjesë të Kashmirit, për problemet që rrethojnë Sudanin, Nigerinë, Kongon, etj. Kush do ta ndalojë Rusinë të marrë Transnistrinë?! Kështu ndodh kur lumturia kërkohet mu aty ku të tjerët e kanë humbur. Kryeministri kroat Pljenkoviç thotë me të drejtë se – “Ky është një precedent i rrezikshëm, në shkatërrimin e themeleve të së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e integritetit territorial”.

Ndërkohë, mësohet se zyrtarë amerikanë dhe rusë do të takohen në Arabinë Saudite në ditët në vijim për të nisur bisedimet që synojnë “përfundimin e luftës gati trevjeçare në Ukrainë”. Presidenti ukrainas Zelensky nuk është fare i informuar për takimin, madje nuk ka marrë as ftesë për në Arabinë Saudite! Nga ana amerikane, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Walz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të jenë atje. Nuk dihet se kush do të jetë në anën ruse. Ukraina ka mbetur në baltë!

Edhe BE-ja ka mëkatet e veta!

Së fundi, BE-ja duhet të përballet me gabimet e saj. Nuk është aspak mirë të vendosësh për çështje të rëndësishme me ndihmën e ndonjë “lokomotive evropiane” joformale, siç ishte Angela Merkel për shumë vite, por përkundrazi është e nevojshme të ndërtohen institucione funksionale të përbashkëta për atë fushë. Dihet se Merkel mbylli sytë ndaj Rusisë për hir të gazit dhe naftës ruse, fillimisht për Osetinë e Jugut, pastaj për Abkhazinë dhe në fund për Krimenë. E kur ariu kërceu te oborri i fqinjit, atëherë më ishte vonë. Një heshtje e tillë ka çuar në një luftë në zemër të Evropës, e cila edhe BE-në mund ta çojë në kolaps të plotë.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti i SHBA-së James Vance ka pjesërisht të drejtë kur thotë se BE-ja ka ndryshuar kulturalisht. Imagjinoni, vetë vendet që vuajtën më shumë nga ish-Bashkimi Sovjetik (Hungaria, Slovakia), tani janë bërë mbështetës të mëdhenj të Putinit, për shkak të nevojës për një sundim sa më të gjatë jodemokratik. Këtë po e bëjnë në dëm të interesave të BE-së, anëtarë të së cilës janë edhe vetë. I fundit prej tyre është kryeministri i Republikës Slovake, Robert Fico, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili e bën këtë në mënyrë të paskrupullt prej 15 vitesh dhe BE-ja nuk ka mekanizma për ta ndaluar. Është interesante se shumë parti radikale të krahut të djathtë në Evropën Perëndimore janë tani tifozë të mëdhenj të mënyrës së qeverisjes së Putinit. Dhe këtu James Vance ka të drejtë, por ai harron se edhe Amerika është ndryshuar shumë kulturalisht nga vetë fakti se ajo është bërë aleati natyror i Putinit. Kurse dihet se ferri është shpërblimi më i madh për ata që e përkrahin djallin.

Disa njerëz e shohin këtë si një lloj “Jaltë të re” që u mbajt në 1945 në Pallatin “Livadia” në Krime, kur u takuan “tre të mëdhenjtë” (Roosevelt, Churchill dhe Stalini). Aty debatuan për kufijtë, zonat e ndikimit dhe ndëshkimin, por pa praninë e shtetarëve të tjerë! Më i indinjuari ishte lideri francez Charles de Gaulle, i cili nuk ishte i ftuar as në Potsdam! Kjo la pasoja të thella në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës (e cila më vonë nuk donte të ishte në NATO për një kohë të gjatë). E njohur se një pikë helm mund të helmojë një det të tërë.

Dhe tani presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar sërish se çdo marrëveshje paqeje që përfshin kapitullimin ndaj Rusisë do të përfundojë “keq për të gjithë”. Trumpi i dytë mund të dëshirojë një “Jaltë të re”, por edhe kjo tani është shumë më e ndërlikuar. Jalta e vërtetë u mbajt pas pesëdhjetë milionë viktimave dhe shkatërrimeve të mëdha në mbarë botën, dhe nën këtë përshtypje ata arritën të vendosnin një rend botëror të fortë dhe funksional. Tani kjo tashmë është një gjë e së kaluarës. OKB-ja me të gjitha organizatat e saj ndërkombëtare të specializuara është tashmë jofunksionale. I ngjan një kamioni të madh tërheqës pa timon, pa frena dhe pa shofer.

Pavarësisht ndarjeve ideologjike, tre të mëdhenjtë – Stalini, Roosevelt dhe Churchill – arritën një marrëveshje kyçe që, të paktën për një kohë, përcaktuan fatin e botës së pasluftës. Tani kjo nuk është e mundur pa një luftë më të gjerë, e cila lehtë mund të përshkallëzohet në një luftë globale dhe bërthamore. Duket se ka ardhur koha kur nuk duhet të vizitojmë ferr për të gjetur djallin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.