Një grua nga Velesi u pickua nga merimanga “Vejusha e zezë” gjatë punës në arë, u dërgua urgjentisht në Toksikologji

Një grua nga Velesi është pickuar nga merimanga “Vejusha e zezë” më 22 korrik në fshatin Ellovec të Velesit. Ajo kërkoi ndihmë mjekësore pasi helmi kishte filluar të vepronte, konfirmuan nga Spitali i Përgjithshëm i Velesit, transmeton Portalb.mk.

“Një grua 61-vjeçare nga Velesi u soll në Qendrën Urgjente në orët e mbrëmjes. Gjatë punës në arë, ajo u pickua nga një merimangë në pjesën e sipërme të krahut të majtë. Pacientja u paraqit me dhimbje në krah dhe në shpinë, marramendje dhe ngërçe në të gjithë trupin. Ajo mori trajtimin e nevojshëm dhe, në marrëveshje me Klinikën e Toksikologjisë në Shkup, u transferua atje për trajtim të mëtejshëm”, deklaroi dr. Ana Marija Xhunxheva, zëdhënëse e Spitalit të Përgjithshëm të Velesit.

Merimanga që e pickoi gruan u vra dhe u dërgua në spital, ku mjekët kujdestarë konfirmuan se bëhej fjalë për një “Vejushë të zezë”.

Mjekët e spitalit thanë se nuk mbajnë mend të kenë pranuar një rast të tillë kafshimi nga kjo lloj merimange gjatë 40 viteve të fundit.

Merimanga “Vejusha e zezë” gjendet në zonat shkëmbore të rajonit të Velesit, siç është edhe fshati Ellovec. Helmi i saj është një neurotoksinë e fuqishme. Kafshimi shkakton dhimbje të forta, ngërçe muskulore, djersitje dhe të përziera.

Sipas literaturës profesionale, “Vejusha e zezë” nuk është agresive dhe sulmon vetëm kur ndihet drejtpërdrejt e rrezikuar, për shembull nëse shkelet pa dashje ose shtypet me dorë gjatë punës në arë.