Nisi procesi për shfuqizimin e qeverisë teknike, BDI dhe LSDM kundër
Kuvendi në seancën e sotme ka miratuar nevojën për procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare. Me këtë zgjidhje ligjore krijohen kushte për eliminimin e arsyeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i qeverisë kalimtare, përkatësisht teknike. BDI deklaroi sot se nuk do ta mbështesë këtë ligj duke thënë se diçka që është arritur me marrëveshje politike, duhet të zhbëhet në të njëjtën formë, transmeton Portalb.mk.
Propozimi kaloi me 67 vota pro dhe 13 kundër – të gjitha nga opozita.
Nga LSDM kërkojnë që amendamentet të miratohen me konsensus njësoj si kur u miratuan më parë, dhe jo siç propozohet tani, përmes një procedure të shkurtuar. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se pikërisht me kërkesë të Hristijan Mickoskit u miratuan amendamentet në mënyrë që qeveria teknike të mund të funksionojë derisa vendi të anëtarësohet në BE.
“Mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë nxitim në aspektin e zgjidhjes ligjore, për t’u kthyer në formatin në të cilin po diskutojmë këtë çështje, që praktikisht është me kërkesë të kryetarut tuaj. Pastaj u miratua një zgjidhje ligjore që e kemi me konsensus me partitë politike dhe përmes dialogut brenda Kuvendit, për ta kthyer atë”, thotë Spasovski.
Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi propozimin. Ai kujtoi se qeveria teknike është rezultat i një marrëveshjeje ndërpartiake midis katër partive më të mëdha dhe se ajo u miratua me konsensus. Sipas tij, ajo mund të shfuqizohet në të njëjtën mënyrë, dhe jo ndryshe në kushte kur, siç thotë ai, qeveria rivendos kontrollin mbi gjyqësorin dhe institucionet.
“Shoqëria dhe shteti përsëri nuk janë të pjekur për të zhvilluar zgjedhje të ndershme dhe demokratike, përveç faktit se ky cikël i ardhshëm i zgjedhjeve parlamentare do të jetë cikli i parë i organizuar nga qeveria aktuale pas vitit 2016”, tha Filipçe në konferencën e sotme për shtyp.
Fronti Evropian është gjithashtu kundër heqjes së qeverisë së Përzhinos Deputetja Arbana Pasholli, duke nënvizuat se qeveria teknike është arritur me marrëveshje politike me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve dhe se në të njëjtën mënyrë duhet edhe të zhbëhet.
“Ne besojmë se gjithçka që është arritur me një marrëveshje politike dhe mbështetje të një marrëveshjeje ndërkombëtare duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë kur kërkohet të shtyhet. Pra, në këtë drejtim, mendoj se nuk do ta mbështesim”, tha Arbana Pasholli.
Kjo u kundërshtua nga deputetët e qeverisë. Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, pyeti pse opozita është kundër një amendamenti të tillë, sepse, siç tha ai, qeveria e Përzhinos është një zgjidhje e vjetëruar.
“Kjo është një zgjidhje ligjore që do të jetë e vlefshme jo nga zgjedhjet e ardhshme, por nga zgjedhjet pas tyre, gjë që ju jep siguri, nëse mendoni se diçka nuk është e mbrojtur në aspektin e procesit zgjedhor, nuk na lejoni të fillojmë të gjithë procedurën. Po, është në procedurë të shkurtuar, por do të ketë kohë të mjaftueshme për të paraqitur amendamente, për të diskutuar të gjitha ato amendamente individualisht dhe në fund të ditës për ta hedhur këtë zgjidhje ligjore në votim”, thotë Micevski.
Amendamentet në Ligjin për Qeverinë që parashikojnë qeverinë teknike janë një zgjidhje nga Marrëveshja e Përzhinos në vitin 2015, e cila ishte e vlefshme vetëm për zgjedhjet e vitit 2016, pra ato që u organizuan pas krizës politike. Ajo parashikon formimin e një qeverie teknike 100 ditë para zgjedhjeve, në të cilën kuadrot e opozitës hyjnë në ministri të caktuara me qëllim sigurimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
Zgjidhja e propozuar ligjore, me zbatim të shtyrë, sipas arsyetimit të Qeverisë, ka për qëllim të sigurojë stabilitet, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik të qytetarëve përmes përmbylljes së plotë dhe të qëndrueshme të reformave të nisura.
Gjithashtu thuhet se, për shkak të nevojës për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të financave publike, forcim të stabilitetit institucional dhe sigurim të legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv të zgjedhur nga Kuvendi, me këtë ligj vendoset një kornizë e qartë ligjore që garanton zgjedhje të lira dhe transparente përmes institucioneve kushtetuese dhe ligjore, si dhe eliminon zgjidhjet e përkohshme të krijuara me marrëveshje politike në të kaluarën.