Nigeri ka mbyllur hapësirën ajrore, afati për rikthimin e presidentit ka skaduar

Udhëheqësit e grushtit të shtetit të Nigerit kanë mbyllur hapësirën ajrore të vendit, duke përmendur si shkak kërcënimin e intervenimit ushtarak nga vendet fqinje, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.

Faqja e internetit për ndjekjen e fluturimeve Flightradar24 tregon se aktualisht nuk ka aeroplanë në qiellin mbi Niger, raporton BBC.

Grupi i vendeve të Afrikës PerëndimoreECOWAS,  më parë ka paralajmëruar  se mund të përdorë forcë në qoftë se Presidenti Mohamed Bazum nuk rikthehet në detyrë deri në orën 23:00 GMT të dielën dhe junta të heqë dorë nga pushteti.

ECOWAS është një bllok tregtar rajonal i 15 vendeve të Afrikës Perëndimore, duke përfshirë Nigerinë, Senegalin, Togon dhe Gana.

Zëdhënësi i juntës ka thënë se forcat e armatosura të Nigerit janë të përgatitura të mbrojnë vendin.

Duke lexuar një deklaratë në televizionin kombëtar të dielën, një përfaqësues i juntës nigeriane tha se ata kanë informacione se një “forcë e huaj” po përgatitej të sulmonte Nigerin.

Pas një takimi krize në Nigeri, shefat ushtarakë të ECOWAS kanë thënë të premten se kanë hartuar një plan të detajuar për përdorimin e mundshëm të forcës.

Presidenti Bazum u arrestua më 26 korrik dhe gjenerali Abdurrahman Tchaini, komandant i gardës presidenciale, më vonë e shpalli veten udhëheqës të ri.

Marrja e pushtetit në mënyrë ushtarake të këtillë, është gjykuar ndërkombëtarisht, duke përfshirë edhe nga ish-fuqia koloniale Franca, pjesa tjetër e BE-së, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.

Mijëra mbështetës të juntës u mblodhën dje në stadiumin e kryeqytetit Niamey, duke përkrahur vendimin e puçistëve që të mos heqin dorë nga marrja e pushtetit, raporton Guardian.

Ky grusht shteti, i shtati me radhë në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore në tre vitet e fundit, ka tronditur rajonin e Sahelit, i cili është një nga më të varfërit në botë. Për shkak të pasurisë së uraniumit dhe naftës dhe rolit kyç në luftën kundër militantëve islamikë, Nigeri ka një rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara, Evropën, Kinën dhe Rusinë.