Apeli ia uli dënimin prej 18 në 8 vjet burg, shoferit të dehur i cili mbyti një fëmijë në viza të bardha dhe iku

Gjykata e Apelit Shkup ia ka ulur dënimin me burg prej 18 vjet në 8 vjet shoferit Angelçe Nikollov (28) nga Velesi, konfirmoi Gjykata Themelore e Velesit. Nikollov, vjet më 17 dhjetor, duke vozitur në gjendje të dehur, në viza të bardha në Veles ka mbytur një vajzë 11-vjeçare dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes, njofton Portalb.mk.

Aktgjykimi i shkallës së parë u shqiptua në Gjykatën e Velesit nga Këshilli Gjykues pesëanëtarësh, me të cilin ka udhëhequr gjykatësja Gabriella Gajdova. Lënda është punuar edhe gjatë periudhës së verës, pasi i dënuari është në paraburgim. Aktgjykimi është i plotfuqishëm.

Nikollovi, i cili në gjendje të dehur, në viza të bardha e ka mbytur me veturë 11-vjeçarën Magdalena Ivanova, është gjykuar për dy vepra penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve” dhe për “Mosofrim të ndihmës ndaj personit të lënduar në aksident komunikacioni”. Lëndime trupore ka marrë edhe nëna e vajzës. Në momentin kur ka vozitur me “Mercedes”, Nikollov ka pasur ndalesë për drejtim të automjetit.

Mbetet në fuqi ndalesa për Nikollovin që ai të drejtojë automjet të “Kategorisë B” në kohëzgjatje prej 5 vitesh, edhe pse sipas vendimit të Apelit, ai gjatë asaj kohe duhet të jetë në burg.

Aksidenti ka ndodhur më 17 dhjetor të vitit të kaluar në ora 22.17 në vizat e bardha në afërsi të shkollës fillore “Vasill Gllavinov”. Pas aksidentit, Nikollov ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe 37 orë është fshehur në vendbanimin Prevallec.

Ekspertiza ka treguar se shoferi në natën kritike, në momentin kur ka ndodhur aksidenti ka qenë në gjendje të dehur dhe me shpejtësi dyfish më të madhe se e lejuara në atë vend. Përveç kësaj, aksidenti ka ndodhur në viza të bardha. Nikollov e ka pranuar fajin për aksidentin.