Ngjyra dhe ndjenja: Sonte prezantohet ekspozita e re e Enver Selimit

Sonte, më 20 nëntor, në hapësirat e Galerisë së Arteve në Tetovë, me fillim nga ora 18:00, do të mbahet hapja solemne e ekspozitës personale të artistit dhe profesorit nga Tetova Enver Selimi, e titulluar “Pejzash Larmi ngjyrash dhe ndjenjash”. Kjo ekspozitë paraqet një përmbledhje të krijimtarisë më të re të autorit, i cili njihet për shpërfaqjen e natyrës përmes ngjyrave të fuqishme, kontrasteve të guximshme dhe lojës emocionale që krijon ndërmjet formës dhe dritës, shkruan Portalb.mk.

Piktori Enver Selimi për Portalb.mk tha se peizazhi për atë nuk është një vend, por një gjendje. Në këtë cikël nuk pikturon natyrën siç duket, por siç ndihet, një hapësirë e pastër emocionale ku njeriu hyn në dialog me veten.

“Ky cikël ka lindur nga një nevojë e brendshme për t’iu rikthyer natyrës se një hapësirë e pastër emocionale. Peizazhi për mua nuk është vetëm një vend fizik, por një gjendje shpirtërore. E kam ndier që në këtë fazë të krijimtarisë sime, duhej t’i kthehesha qetësisë, ritmit të ngadaltë dhe energjisë organike të natyrës, për tis jell ato në një formë të re, më ekspresive dhe më personale. Ideja lindi natyrshëm. Gjithmonë e kam parë natyrën si një pasqyrim të gjendjeve tona të brendshme. Peizashi është shumë më tepër së një pamje, është një process meditative, një mënyrë për të hyrë në dialog me veten. Zgjodha të përqëndrohem te peisazhi sepse ai më jep liri: liri në ngjyrë, në ritëm, në strukturë. Në këtë cikël nuk synoj të paraqes natyrën siç duket, por siç ndihet”, tha Selimi.

Ai shtoi se [do ngjyrë dhe teksturë në këtë cikël është një emocion i përkthyer në formë herë qetësi, herë trazim, herë energji shpërthyese, siç shton nuk është një histori e vetme, por një mozaik emocionesh që marrin jetë përmes peizazhit ekspresiv dhe thellësisht personal.

“Ky cikël është i lidhur me periudha reflektimi, me momente kur njeriu kërkon qetësi, shërim apo distancim emocional. Çdo ngjyrë dhe çdo teksturë në pikturat e mia është e lidhur me një emocion konkret, ndonjëherë qetësi, ndonjëherë trazim, herë pas here një energji shpërthyese. Nuk është një histori e vetme, por një mozaik emocionesh që i kam përjetuar dhe i kam përkthyer përmes peisazhit ekspresiv dhe subjektiv”, tha Selimi.

Ekspozita pritet të tërheqë dashamirës të artit, studiues, studentë dhe publikun e gjerë, të cilëve u ofrohet mundësia të njihen nga afër me stilin autentik të artistit dhe me mënyrën e tij unike të interpretimit të natyrës dhe hapësirës.

Veprat e Selimit sjellin peizazhe të gjalla, të mbushura me ritëm, energji dhe simbolikë, duke i ftuar vizitorët në një udhëtim ndjesor që tejkalon realitetin vizual.

Afishja e ekspozitës “Pejsazh Larmi ngjyrash dhe ndjenjash”. Foto: Ever Selimi
Afishja e ekspozitës “Pejsazh Larmi ngjyrash dhe ndjenjash”. Foto: Ever Selimi