Nga kjo fundjavë rikthehen autobusët nga Tetova për në Kodrën e Diellit

Duke filluar nga 17 janari do të lëshohet në përdorim linja e autobusëve nga Tetova për në Kodrën e Diellit dhe anasjelltas, e cila do të vlejë vetëm për ditën e shtunë dhe të diel, raporton Portalb.mk.

“Nga e shtuna (17 janar) do të lëshohet në përdorim linja e autobusëve Tetovë – Kodra e Diellit dhe anasjelltas. Kjo linjë do të jetë funksionale vetëm gjatë fundjavave. Ftojmë të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë transportin publik dhe të kontribuojnë në uljen e trafikut dhe mbrojtjen e mjedisit”, informuan nga Komuna e Tetovës.

Nisja do të bëhet nga market Oaza në ora 08:00 dhe 10:00 në mëngjes, ndërsa kthimi nga Kodra e Diellit në ora 14:45 dhe 16:00.

Sezoni i ri i skijimit në Kodrën e Diellit filloi më 11 janar, pa ndonjë organizim të veçantë të hapjes siç bëhej viteve të kaluara, këtë vit janë rritur çmimet e ski-biletave ditore dhe sezonale.

Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.

Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Pavarësisht se autoritetet me vite paralajmërojnë investime të huaja milionëshe, ende nuk ka asnjë marrëveshje dhe asgjë konkrete në terren.