Nga humbja e Shpatit deri te ekspozita, Hasbushe Ziberi: Arti si mënyrë për ta zbutur dhimbjen

Hasbushe Ziberi nuk është vetëm një piktore që flet me ngjyra, por një grua që artin e ka kthyer në gjuhë shpirti. Si anëtare e njohur e Korit të Grave “Teuta” dhe krijuese me ndjeshmëri të rrallë, ajo ka ditur ta bashkojë bukurinë e tingullit me fuqinë e penelit, duke sjellur para publikut një botë të mbushur me emocion, kujtesë dhe dritë. Ekspozita e saj e fundit, “72 Pranvera në trëndafil”, është më shumë se një ngjarje artistike. Është një rrëfim jete. Në një bisedë për Portalb.mk, Ziberi foli hapur për artin, për humbjen që la gjurmë të thella në familjen e saj dhe jo vetëm

Portalb.mk: Ekspozita juaj e fundit “72 Pranvera në trëndafil” tërhoqi vëmendje të veçantë, çfarë simbolizon ky titull për ju dhe çfarë historie keni dashur të tregoni përmes kësaj ekspozite?

Hasbushe Ziberi: Simbolika e kësaj ekspozite pasqyron dy elemente kryesore. Trëndafilat, si ndër lulet më të veçanta, simbolizojnë bukurinë, dashurinë dhe qëndrueshmërinë, duke ardhur në shumë ngjyra dhe forma të pafundme. Këta trëndafila, të parë nga këndi im artistik, i kam harmonizuar me jetën time – me 72 pranverat që i mbusha këtë pranverë. Përmes kësaj ekspozite kam dashur të tregoj një rrugëtim personal të mbushur me ndjenja, kujtime dhe jetë.

Portalb.mk: Në punimet e kësaj ekspozite vërehet ndjeshmëri, butësi dhe shumë emocion; sa vend zënë përjetimet personale në artin tuaj

Hasbushe Ziberi: Në familjen tonë ndodhi një tragjedi e madhe, me ndarjen nga jeta të Shpat Kasapit, një humbje që tronditi jo vetëm ne, por edhe gjithë opinionin shqiptar, sidomos Tetovën. Ceremonia e homazheve në Pallatin e Kulturës ishte e mbushur me dhimbje, lot dhe pikëllim të thellë. Në këtë gjendje të rëndë shpirtërore mendova se arti mund të ishte një mënyrë për ta zbutur sadopak këtë dhimbje. Bukuria dhe qetësia që përcjellin trëndafilat, ngjyrat dhe format e tyre, na ndihmuan për pak çaste të harrojmë të hidhurën dhe të përqendrohemi tek e bukura. Arti, në këtë rast, u bë një strehë shpirtërore.

Foto nga arkivi personal i artistes Hasbushe Ziberi. Foto: Hasbushe Ziberi
Foto nga arkivi personal i artistes Hasbushe Ziberi. Foto: Hasbushe Ziberi

Portalb.mk: Si lindi lidhja juaj me pikturën dhe kur e kuptuat se arti pamor do të bëhej pjesë e rëndësishme e jetës suaj?

Hasbushe Ziberi: Që në moshë të re kam qenë e vetëdijshme për një prirje të veçantë për vizatim. Fillimisht kjo më ndihmoi në krijimin e dekoreve për veshje tradicionale. Nuk e kisha menduar se kjo aftësi do të shndërrohej në një formë të mirëfilltë arti pamor dhe se punimet e mia do të pëlqeheshin nga një publik më i gjerë.

Portalb.mk: Ju jeni e njohur edhe si anëtare e Korit të Grave “Teuta”; si e përjetoni këtë bashkëudhëtim mes muzikës dhe pikturës?

Hasbushe Ziberi: Jam një nga themelueset e Korit të Grave “Teuta”, së bashku me disa zonja të nderuara të qytetit si Qefajete Berisha, Gëzime Hajredini, Ramije Ibrahimi, Hirijete Nesimi, Shyhrete Idrizi, Xhemile Bexheti, Ferizate Milaimi, Menduale Limani dhe shumë të tjera. Ky grup u formua mbi bazën e dashurisë për artin dhe traditën. Me përkushtim dhe pa asnjë interes material, kemi punuar për të sjellë këngët e bukura qytetare, nën drejtimin profesional të Jetmir Rexhepit dhe Jeton Pustinës, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për cilësinë artistike të korit.

Portalb.mk: Kori “Teuta” ka një vlerë të veçantë kulturore për Tetovën; çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e këtij grupi?

Hasbushe Ziberi: Në këtë grup kam pasur edhe rolin e stilistes. Kam ideuar dhe realizuar veshjet e korit, duke i zbukuruar ato me elemente artistike dhe dekore të veçanta. Kjo ka bërë që në koncertet dhe evenimentet tona të paraqitemi me një identitet të bukur vizual. Kjo më ka dhënë kënaqësi të madhe, sepse kam ndjerë se kontributi im ka shtuar vlerën artistike të grupit.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë?

Hasbushe Ziberi: Mesazhi im është i thjeshtë, por i thellë: njeriu, në çdo moshë, nuk duhet të ndalojë së ëndërruari dhe së krijuari. Arti dhe pasioni janë ato që e mbajnë shpirtin gjallë.