Netanyahu thotë se ofensiva në Gazë është në fazën fillestare

Kryeministri i Izraelit, Benjanim Netanyahu, u zotua se do të shkatërrojë grupin militant palestinez të Hmasit, përderisa ushtria e tij po përgatitet për një sulm të pritshëm tokësor në Rripin e Gazës, transmeton REL.

Netanyahu i bëri këto deklarata gjatë një fjalimi televiziv më 13 tetor.

“Ky është vetëm fillimi”, tha Netanyahu. “Ne do ta përfundojmë këtë luftë më të fortë se kurrë”.

“Ne do ta shkatërrojmë Hamasin”, theksoi ai, duke shtuar se Izraeli ka mbështetje të madhe ndërkombëtare për operacionin.

Izraeli është duke kryer sulme të vazhdueshme ajrore në Rripin e Gazës që kur militantët e Hamasit kryen sulme të befasishme nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit më 7 tetor.

Deri më tani, mbi 1.300 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 1.700 të tjerë janë raportuar të vrarë në Gazë.

Fjalimi i Netanyahut vjen po të njëjtën ditë kur autoritetet izraelite paralajmëruan palestinezët në Gazë, që të largohen në jug të këtij territori.

Po ashtu, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer disa bastisje në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, duke thënë se për herë të parë që nga sulmet e 7 tetorit, trupat tokësore kanë nisur operimin brenda këtij territori.

Ushtria tha se trupat kanë hyrë në Gazë për të luftuar militantët, për të shkatërruar armët dhe për të gjetur dëshmi lidhur me pengjet që po mbahen nga grupi militant palestinez i Hamasit.