RMV, Pendarovski ka dhënë urdhër për përgatitje të një kontigjenti ushtarësh dhe mjete për të ndihmuar Slloveninë

Presidenti Stevo Pendarovski si komandant suprem i forcave të armatosura të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dhënë urdhër deri te shefi i Shtatmadhorisë së Armatës që të ndërmerren masa për përgatitje të kontigjentit të ushtarëve dhe mjete materiale-teknike të cilat së shpejti do të nisen për në Republikën e Sllovenisë për t’a ndihmuar në ballafaqimin me pasojat nga përmbytjet katastrofike që e goditën gjithë vendin, njofton Portalb.

Vërshimet në Slloveni pas stuhisë së fortë që goditi vendin të enjten morën edhe dy jetë të tjera. Mbrëmjen e djeshme në ujërat e lumit Temenica në afërsi të fshatit Ivanja të komunës së Mirna Peçit është gjetur një person i mbytur. Një tjetër trup i pajetë i një burri është gjetur dje në një gropë septike në zonën e Mosit, në komunën e Komendës, raportojnë mediat sllovene. Siç thuhet, personi ka rënë në gropë teksa po riparonte pasojat e përmbytjeve.