Vërshimet në Slloveni shkaktuan dëme prej disa miliardë eurosh

Mijëra qytetarë sllovenë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në të gjithë Slloveninë veriperëndimore dhe qendrore, ndërsa ushtria, zjarrfikësit dhe punonjësit e shpëtimit përpiqen të çlirojnë të tjerët dhe të pastrojnë rrugët. Shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur gati dy të tretat e vendit prej ditësh, duke shkatërruar ndërtesa dhe ura, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Dëmi do të arrijë në disa miliardë euro, për sanimin efikas do të duhet “të bëhet gjithçka dhe të gërvishtet kudo që të jetë e mundur” dhe të merren sa më shumë fonde nga fondet evropiane dhe ndihmë nga jashtë”, tha kryeministri Golob.

Agjencia Sllovene e Mjedisit njoftoi se përmbytjet kishin filluar të zvogëloheshin dje, por disa zona ishin ende të ndërprera. Bashkimi Evropian ofroi makineri të rënda dhe njësi inxhinierike. Sllovenia ka kërkuar gjithashtu helikopterë, trupa dhe ura nga aleanca ushtarake e NATO-s. Kroacia dhe Hungaria ndihmuan me helikopterë dhe Gjermania me një ekip të mbrojtjes civile.

Maqedonia e Veriut paralajmëroi ndihmë për Slloveninë, ndërsa kreu i shtetit Pendarovski në bisedë me presidenten sllovene Natasha Pirc-Musar shprehu keqardhje për Slloveninë dhe të gjithë banorët e saj për humbjet dhe dëmet e pësuar nga përmbytjet dhe shprehi gatishmërinë për të ndihmuar.

“Sllovenia është mike e madhe e Maqedonisë së Veriut, shtëpia e shumë bashkëqytetarëve tanë, aleati ynë në NATO, vend me të cilin ne bashkëpunojmë në disa procese dhe nisma dhe synojmë të kemi një të ardhme të përbashkët në kuadër të BE-së. Shoqëria maqedonase e kujton ndihmën që Sllovenia na ka dhënë në të kaluarën në trajtimin e fatkeqësive natyrore dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë sipas nevojave të shprehura nga pala sllovene në kuadër të mundësive tona”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit Pendarovski.