Nesër mbahet webinar me temë “Inteligjenca artificiale në media, të mirat dhe të këqijat”

A mund dhe si mund të përdoret Inteligjenca Artificiale (IA) në media? Deri në çfarë mase zhvillimi i ri i mjeteve të inteligjencës artificiale mund të kërcënojë të drejtat e autorit dhe veprat e gazetarëve dhe fotoreporterëve? Cilat janë përfitimet dhe cilat janë pasojat e mundshme të dëmshme të inteligjencës artificiale në sferën mediatike?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet që do të parashtrohen në webinarin me titull “Inteligjenca artificiale në media – pro dhe kundër” që do të mbahet më 28 shkurt (e mërkurë) me fillim nga ora 11:00. Në ngjarjen online do të flasin gazetari Bojan Shashevski, fotoreporteri Zvonko Plavevski dhe avokati Valentin Pepeljugoski.

Pjesëmarrësit e webinarit do të mund të marrin pjesë në diskutim dhe të mësojnë sesi gazetarët me zhvillimin e inteligjencës artificiale do të jenë në gjendje të mbrojnë punën e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për fotografitë, duke qenë se shpesh ndodh që publiku nuk mund të dallojë nëse një foto e caktuar e publikuar është nga IA ose autentike. E gjithë kjo mund të çojë në konfuzion te publiku, me tendencë që lexuesit apo shikuesit të bëhen subjekt i manipulimit.

Tema që do të diskutohet prek të dyja palët, si punonjësit e medias, por edhe publikun e gjerë, i cili do të ketë mundësi të edukohet sesi të dallojë nëse një tekst, shkrim apo foto është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Gjithashtu, webinari synon të theksojë rolin kyç të gazetarëve dhe fotoreporterëve si rojtarë të së vërtetës, dhe për këtë arsye tema e diskutimit është e rëndësishme në drejtim të mbrojtjes së përmbajtjes autentike të krijuar prej tyre.

Webinari është i hapur për të gjithë gazetarët, qytetarët e interesuar, shoqatat e gazetarëve, organizatat joqeveritare dhe subjektet e tjera.

Pjesëmarrja është falas për pjesëmarrësit ndërsa ata mund të regjistrohen në KËTË LINK.

Ky uebinar organizohet nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Mediatike “Media Inovative”, me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor“, i implementuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (QPSHC), Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave (QHKP) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN) dhe me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.

Për shkak të nevojave të projektit, ngjarja e TEAMS do të regjistrohet, por nuk do të transmetohet publikisht.