Nëpërmjet aksionit gueril, artisti Ozbek Ajvaz kërkon të vendosen tualete publike në Shkup

Artisti i ri Ozbek Ajvaz, sot në mëngjes në parkun e qytetit te fontana “Lulja Lotus”, nëpërmjet skulpturës që vet e ka punuar, vizualisht e ka paraqitur bakterin Escherichia coli. Porosia që e dërgon artisti i ri është apel deri tek autoritetet e qytetit të sigurojnë higjienë më të mirë dhe shëndet për qytetarët, nëpërmjet investimit në ndërtimin e numrit të mjaftueshëm të tualeteve publike në tërë qytetin, shkruan Portalb.mk.

“Shpërndarja e Escherichia coli për shkak të mungesës së tualetëve publik në Shkup, si metropol i këtij shteti, paraqet rrezik serioz shëndetësor. Ajo është baktere patogjene e cila gjendet në pjesën e poshtme të traktit digjestiv të njeriut, dhe nuk guxon të arrijë në pjesën e sipërme të traktit digjestiv (lukth, ezofag, zorrët e holla) pasi që në atë rast mund të shkaktojë infeksione serioze gastrointestinale te njerëzit”, tha Ajvaz.

“Përveç kësaj, nevojiten edhe strategji për ngritjen e vetëdijes te njerëzit për rëndësinë e higjienës dhe shfrytëzimin e tualeteve publike”, shtoi ai.

Meta.mk ka shkruar për Ajvas parady vitesh. Ai asokohe, si student në ciklin e dytë në Fakultetin e Arteve e kishte ekspozitën e tij të parë të pavarur përpara ndërtesës së Filarmonisë. Vepra, e punuar nga hekuri, të cilën e paraqiti në publik ishte vallja “E vështira”, e përbërë nga skulptura të tetë valltarëve.