Nesër do të luhet derbi ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit, dy tifogrupet pritet të jenë në tribuna

Në Maqedoninë e Veriut nesër do të luhen ndeshjet e javës së XVI-të në Ligën e Parë, ku është planifikuar edhe ndeshja derbi ndërmjet Shkëndijës së Tetovës dhe Shkupit nga Çairi, transmeton Portalb.mk.

Pas një kohe të gjatë, ndeshja do të ndiqet nga Ballistët e Tetovës dhe Shvercerat e Shkupit. Më gëzon fakti se do të jenë dy tifo grupet bashkë dhe shpresoj të jemi shembull për të mirë. Në terren le të fiton më i miri. Është kënaqësi t’i shohësh bashkë tifozeritë. Ne jemi vëllezër mes veti dhe kur i shohim në këtë mënyrë të organizohen, vërtet na jep një ndjenjë shumë të mirë, një motivim ekstra që të ndjehemi edhe ne shumë të plotësuar”, deklaroi kapiteni i Shkëndijës, Besart Ibraimi.

Për KF Shkupin kjo ndeshje është një festë.

#Shvercerat dhe #Ballistët janë besatu, të mërkurën në #Tetovë me festu Flamurin me nderu Festën e Nëntorit në mënyrën më të mirë me e paralajmëru…”, kanë shkruar KF Shkupi në rrjetet sociale.

Ndeshjet do të fillojnë nga ora 13:00.

Në të njëjtën kohë do të fillojë edhe ndeshja ndërmjet Vardarit dhe Gostivarit, Strugës dhe Pelisterit, Besës dhe Akademisë Brera, Sileksit dhe Voskës. Në këtë xhiro është edhe ndeshja mes Tikveshit he Rabotniçkit.

Shkëndija gjendet në pozitën e parë me 30 pikë, aq sa ka edhe Gostivari e Sileksi, ndërsa Struga gjendet në pozitën e pestë me 26 pikë. Shkupi gjendet në pozitën e gjashtë me 16 pikë, tri pikë më pak ka Besa Dobërdollit në pozitën e nëntë, ndërsa Voska me një pikë më pak gjendet në pozitën e dhjetë.

Për herë të parë në këtë sezone, gjysma e ekipeve në Ligën e Parë janë ekipe shqiptare, gjashtë nga dymbëdhjetë ekipet: Struga, Shkupi, Shkëndija, Gostivari, Voska dhe Besa e cila tani është inkuadruar. Ndërkohë në garën për Kupën e Maqedonisë së Veriut kanë mbetur edhe tetë ekipe: Struga, Shkëndija, Gostivari, Arsimi, Sileksi, Vardari, Akademia Brera dhe Detoniti.

Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, pasi në javët e fundit u zhvillua një garë e ngushtë së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin. Në garën për fitues në sezonin e kaluar në Kupën e Maqedonisë, Tikveshi ka fituar kundër ekipit të Voska Sportit.