Në vend të aplikimit elektronik, Qyteti i Shkupit kërkon deklaratë të noterizuar për subvencionet për biçikleta

Personave që këtë vit aplikojnë për të marrë subvencion për blerjen e biçikletave Qyteti i Shkupit u kërkon deklaratë të vërtetuar në noter. Kjo gjë nuk është praktikuar më parë, por për herë të parë po prezantohet këtë vit. Reagime të shumta në lidhje me këtë mund të vihen re në rrjetet sociale, ku qytetarët e Shkupit reagojnë se në vend që të fillohet me përdorimin e aplikacioneve elektronike, tek ne po bëhet një hap mbrapa, kështu që qytetarët duhet t’i vërtetojnë deklaratat në noter dhe të plotësojnë dokumente të tjera, e pastaj të njëjtat t’i dorëzojnë pranë arkivit të Qytetit të Shkupit, që në këtë mënyrë të mund të aplikojnë për subvencion për blerjen e një biçiklete, trasmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Nga Qyteti i Shkupit, nga ana tjetër, për Meta.mk thanë se nevoja për deklaratë të noterizuar buron nga vërejtjet e revizioneve kompetente për ekzistimin e rrezikut nga keqpërdorimi i të dhënave personale me rastin e kërkesës për kopje të letrës së njoftimit gjatë aplikimit.

“Me deklaratën e noterit, aplikantët për subvencione në fakt japin pëlqim për përdorimin e të dhënave të tyre personale në procesin e aplikimit dhe në të njëjtën kohë garantojnë besueshmërinë e të dhënave të tyre personale”. Në të kaluarën një pjesë e thirrjeve publike të Qytetit të Shkupit për subvencione janë realizuar në mënyrë elektronike dhe me aplikim online dhe padyshim që planifikohet që kjo mënyrë e aplikimit të zbatohet sërish në të ardhmen”, thanë nga Qyteti i Shkupit.

Përndryshe, në deklaratën e vërtetuar nga noteri, e cila kushton 150 denarë, qyterarët duke i plotësuar të dhënat e tyre në përgjegjësi të plotë morale, materiale dhe penale deklarojnë se „ të dhënat personale janë të sakta dhe se qytetari pranon që të njëjtat të përdoren ekskluzivisht për pjesëmarrje në Thirrjen publike për subvencionim të qytetarëve në rajonin e Qytetit të Shkupit për blerjen e biçikletave në vitin 2023 “.

Foto: Prinstcreen nga Qyteti i Shkupit
Foto: Prinstcreen nga Qyteti i Shkupit

Krahas deklaratës, qytetarët plotësojnë edhe kërkesë për subvencionim, kopje të faqes së parë të llogarisë transakcionale, ndërsa aplikantët që nuk kanë të ardhura të rregullta të regjistrohen në Drejtorinë e të Ardhurave  Publike duke hapur profil për tatimin e të ardhurave personale. Pastaj, kërkohet dëshmi se është blerë një biçikletë e re dhe atë duke e dorëzuar origjinalin e llogarisë fiskale, me datë nga 1 janari i vitit 2023, deri në shterimin e mjeteve të planifikuara financiare nga Buxheti i Qytetit të Shkupit për këtë qëllim, por jo më vonë se më 31 tetor të vitit 2023, deri kur është e detyrueshme që biçikleta të jetë e paguar plotësisht.

Këto dokumente dorëzohen pranë arkivit, ndërsa subvencioni është maksimum 4.000 denarë.

Një person mund të dorëzojë vetëm një kërkesë në thirrjen publike, ndërsa shërbimi do të bëhet sipas radhitjes së dorëzimit të aplikimeve. Nga Qyteti i Shkupit informojnë se deri më tani janë pranuar 340 kërkesa për subvencione, ndërsa subvencionet për vitin 2022 janë paguar plotësisht.

Bellçeva-Ristovska: Në një kohë të digjitalizimit këto dokumente në letër dhe vërtetime noteri janë të papranueshme

Iskra Bellçeva-Ristovska nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) thotë se në këtë mënyrë, në një kohë të digjitalizimit, institucionet vetëm shkojnë prapa me këto lloj kërkesash për qytetarët për dorëzimin e kërkesave në letër dhe për noterizimin e deklaratave.

“Sot është e papranueshme të kërkosh që një kërkesë për subvencionim ta dorëzosh në arkiv, në një zarf në të cilin shkruan mos e hap, përveç se për tenderë. Në këtë kohë të digjitalizimit, në shekullin XXI, sidomos pas Kovidit, kur të gjithë u përshtatën shpejt, përfshirë edhe sektorin tonë privat, është e papranueshme që institucionet publike të kthehen kështu prapa me kërkesa për dokumente të printuara dhe me dorëzim të tyre personalisht. Kjo është posaçërisht e papranueshme, sepse bëhet fjalë për grupe individuale të qytetarëve që kanë nevojë për lehtësim financiar, por edhe qasje më të lehtë në institucione”, thotë BellçevaRistovska.

Ajo thotë se arsyetimi i Qytetit të Shkupit se bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale është i pabazë, sepse kemi një mënyrë të rregulluar për mbrojtjen e të dhënave personale.

„Ekziston një mënyrë shumë më e lehtë për këtë, e cila praktikohet kudo. Kështu, kur shkoni në faqen e internetit, atje do gjeni një “politikë për përdorimin e të dhënave personale”, ndërsa ka edhe opsione gjatë krijimit të profilit, ku ju pranoni përdorimin e të dhënave personale për këtë apo atë qëllim“, shpjegon BellçevaRistovska.

Përndryshe thirrja publike për subvencione për biçikleta u publikua në faqen e Qytetit të Shkupit në Facebook, por më vonë e njëjta u fshi.

Foto: Prinstcreen nga Qyteti i Shkupit
Foto: Prinstcreen nga Qyteti i Shkupit

Tani, për këtë masë, qytetarët mund të informohen vetëm përmes ueb-faqes së Qytetit të Shkupit. Nga ky institucion nuk dhanë përgjigje në pyetjen tonë për atë se pse u fshi thirrja publike dhe nëse arsyeja ishin reagimet e shumta për dorëzimin e dokumentacionit të printuar dhe me vërtetim nga noteri.

Përndryshe, në thirrjet publike të Qytetit të Shkupit për ndarjen e subvencioneve, mund të vihet re se deklarata të notarizuara kërkohen edhe për shërbimet e tjera. Kështu, Qyteti i Shkupit ndan deri më 1.200 denarë subvencion për amvisëritë të rajonin e shupit për  rimbursimin e një pjese të shpenzimeve për pastrimin e oxhaqeve për vitin 2023.

“Qytetarëve që kanë nevojë për këto shërbime sigurisht që nuk duhet tua vështirësojnë procesin për të njëjtat. Kërkesa e tillë për një deklaratë të vërtetuar nga noteri nuk është gjë tjetër veçse pengesë dhe dekurajuese për qytetarëve. E gjithë kjo kushton para shtesë, dhe mbi të gjitha kushton kohë, që është një nga burimet më të rëndësishme sot. Vërtetimi nga noteri kushton 150 denarë, plus koha për të shkuar te noteri, plus shkuarja në arkiv, kështu që do të kushtojë 1.200 denarë, ose përafërsisht kaq”, thotë BellçevaRistovska.

Deklaratë nga noteri kërkohet edhe për subvencione për trotinetë elektrikë, kondicionerë inverter për ngrohje etj. Kjo është praktikë e disa prej komunave, që në vend që në formë elektronike kërkesat për subvencione nga qytetarët t’i kërkojnë të printuara, me deklaratë të vërtetuar në noter.