Në vend se me fletëpagesa në bankë, shërbimet e UKM-së studentët do t’i paguajnë online

Një ekip i përbërë nga profesorë dhe asistentë në Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” kanë krijuar një sistem që studentëve u mundëson që për shërbimet e fakulteteve të paguajnë online, e jo nëpër sportelet e bankave, siç e bënin deri më tani, shkruan Meta.mk.

Kjo mënyrë e të paguarit  për momentin zbatohet vetëm në pesë fakultete të UKM-së, por së shpejti do fillojnë trajnimet për punonjësit e administratës të cilët do duhet të mësojnë se si duhet të punojnë sipas mënyrës së re të pagesës. Përndryshe, mundësi të këtillë ka edhe në disa prej fakulteteve të tjera shtetërore në vend, ndërsa fakulteti i parë i cili mundësoi pagesa online ishte Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip.

Për rrezikun nga mosevidentimi i ndonjë pagese të kryer, për përfitimet e këtij sistemi dhe për problemet me të cilat përballen studentët, biseduam me Prof. dr. Ivan Çorbev nga Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, si dhe me studenten Aneta Jovanoska nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informatike (FETI).

“UKM prej më shumë se 10 vitesh ka një sistem informatik të integruar për evidentimin e studentëve, që është sistemi “I know”. Ajo që na mungonte ishte vënia në funksion e pjesës për pagesat online të shërbimeve, kështu që para një viti e përfunduam dhe nga ky vit akademik e vumë në funksion eksperimentalisht”, tha Çorbev.

Deri më tani janë realizuar pagesa në vlerë prej 550.000 eurosh 

Ai shpjegoi se kanë pasur thirrje për bankat që të ofrojnë provizione më të ulëta për studentët, pas çka është zgjedhur banka që ka ofruar kushte më të favorshme. Ajo ka integruar një zgjidhje е-comerce, kështu që pagesat e semestrave studentët mund t’i paguajnë online me kartela kreditore ose debitore.

“Në vitin e parë filluam me kujdes, së pari me FSHIIK, në bashkëpunim me një numër më të vogël të studentëve. Pastaj u inkurajuam dhe u zgjeruam në pesë fakultete – FETI, Fakultetin e Veterinarisë, Farmacisë, Fakultetin Ekonomik. Tashmë kemi më shumë se 10.000 transaksione të realizuara, pra më shumë se 550.000 euro. Tani e kemi punuar mjaftueshëm sistemin dhe e kemi testuar dhe jemi inkurajuar që këtë mënyrë pagese ta përfshijmë në 23 fakultetet dhe institutet, me çka çdo njësi e universitetit do të mund ta përdorë pagesën online”, shpjegon profesori.

Sipas tij përfitimet e pagesës online janë të shumta, provizionet janë më të ulëta, si dhe është shumë më e lehtë që pagesat të kryhen nga shtëpia ose nga jashtë vendit, pa pasur nevojë që studentët të presin radhë para ndonjë sporteli. Për procesin e digjitalizimit të universitetit, ai thotë se ka një mbështetje të fuqishme nga rektorja Biljana Angellova, e cila gjithashtu angazhohet për avancimin e proceseve me teknologjitë digjitale.

Punonjësit në kohë reale mund të kenë pasqyrë të të gjitha pagesave

Punonjësit e administratës studentore në kohë reale do te kenë raporte për të gjitha pagesat e realizuara për secilin nga studentët. Por ata do duhet të ndjekin trajnime, të cilat do u ndihmojnë gjatë punës.

“Pas përfundimit të trajnimit të gjithë punonjësit do e kenë më të qartë se nuk duhen dorëzuar kurrfarë dëshmish për pagesën, sepse sistemi i cili përdoret në kohë reale tregon se kush dhe kur e ka kryer pagesën. Tani po përfundojmë modul për sinkronizim në pagesat online me softuerët e kontabilitetit të cilat i kanë fakultetet. Studentët nuk do kenë nevojë për kurrfarë vërtetimi se kanë paguar, sepse vetë sistemet do i regjistrojnë të dhënat”, sqaroi profesori Çorbev.

I pyetur nëse mund të ndodhë që një student të paguajë para për një shërbim, ndërsa pagesa të mos evidentohet askund, Çorbev tha se rreziku që të ndodhë një gjë e tillë është pothuajse inekzistent.

“Janë bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur skenarë të tillë, ne kemi komunikim të drejtpërdrejtë me bankën, sistemi i pagesave elektronike të së cilës është i integruar me tonin. Edhe në fazat fillestare kur kishte disa mospërputhje, sa herë që kishte një tepricë ose një transaksion më të vogël nga sa kërkohej, ne ishim në komunikim të përditshëm me ta. Nuk ka për të ndodhur që një fakultet të jetë në pozitë të tillë që të humbasë një transaksion”, shpjegon Çorbev.