Në Strugë sonte mbahet edicioni i 12-të i Festivalit për fëmijë “Peshku i Artë”

Sonte (e premte) me fillim nga ora 18:00, në Pallatin e Kulturës në Strugë, do të mbahet edicioni i 12-të me radhë i festivalit për fëmijë “Peshku i Artë”, i cili është një nga ngjarjet më të dashura për fëmijë, shkruan Portalb.mk.

Fitore Istrefi Alushi, drejtoreshë e festivalit për fëmijë “Peshku i Artë”, për Portalb.mk tha se këtë vitë fokusi është jo vetëm tek interpretimi por edhe te mesazhi që përcillet.

“Edicioni i 12-të i festivalit “Peshku i Artë” sjell një nivel të ri organizimi, me një skenografi të përmirësuar, një juri profesionale me emra të njohur të artit dhe kulturës, si dhe përzgjedhje më të kujdesshme të këngëve që trajtojnë tematika të rëndësishme për fëmijët, si ëndrrat, familja, shoqëria dhe natyra. Sivjet fokusi është jo vetëm tek interpretimi por edhe tek mesazhi që përcillet”, tha Istrefi Alushi.

Ajo tha se në këtë edicion do të prezantohen 18 fëmijë nga vende të ndryshme, dhe se interesimi për të qenë pjesë e këtij festivali ka qenë i madh.

“Në këtë edicion marrin pjesë 18 fëmijë nga mbarë trevat shqipfolëse, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën. Risia këtë vit është ndarja në kategori sipas moshës dhe formati i çmimeve speciale që synojnë të nxisin krijimtarinë, origjinalitetin dhe interpretimin artistik. Kemi pasur mbi 50 aplikime, gjë që dëshmon interesimin e madh për këtë festival. Përzgjedhja ka qenë tejet sfiduese, pasi shumë fëmijë kishin cilësi të larta artistike. Jemi përpjekur të ruajmë një balancë mes potencialit vokal, përmbajtjes së këngës dhe përfaqësimit gjeografik”, tha Istrefi Alushi.

Istrefi Alushi tha se Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV-së, asnjëherë nuk i ka përkrahur në mënyrën e duhur.

“Kemi pasur përkrahjen e disa partnerëve lokalë dhe sponsorëve të përkushtuar, dhe biznese që besojnë në fuqinë e artit për fëmijë. Kemi falënderime të veçanta për të gjithë ata që na ndihmuan ta mbajmë gjallë këtë aktivitet. Institucionet të paktën për këtë festival si Ministria e Kulturës së RMV-së, asnjëherë nuk na ka përkrahur në mënyrën e duhur”, tha Istrefi Alushi.

Istrefi Alushi gjithashtu potencoi se është një sfidë e madhe për ta mbajtur gjallë një festival.

“Është një sfidë e madhe, pasi kërkon angazhim të vazhdueshëm, burime financiare, bashkëpunime të qëndrueshme dhe mbi të gjitha pasion. Por kur sheh buzëqeshjet e fëmijëve dhe emocionet në sytë e publikut, e kupton që çdo përpjekje i’a vlen”, tha Istrefi Alushi.

Festivali do të jetë garues, por në të njëjtën kohë fryma që përçojnë është më shumë miqësore dhe bashkëpunuese. Pavarësisht çmimeve, çdo fëmijë që ngjitet në skenë është fitues në sytë tanë.

Afishja e Festivalit për fëmijë “Peshku i Artë”. Foto: Fitore Istrefi Alushi
Afishja e Festivalit për fëmijë “Peshku i Artë”. Foto: Fitore Istrefi Alushi