Besimtarët ortodoksë sot e festojnë Ujin e Bekuar, uruan krerët e RMV-së
Besimtarët ortodoksë sot e festojnë festën e madhe krishtere ‘Uji i Bekuar’. Kjo ditë, festohej në shekullin e dytë nga epoka e re, transmeton Portalb.mk.
Festimi është i lidhur me pagëzimin e Jezu Krishtit nga Shën Gjoni, i cili prej atëherë quhet Pagëzor, ndërsa kapja e kryqit do të thotë bashkimi i njeriut me Krishtin.
Tradicionalisht më masivisht hedhja e kryqit pritet të jetë në Shkup dhe në Ohër.
Për këtë festë kanë uruar krerët shtetërorë.
Presidentja Gordana Silanovska Davkova uroi që kjo festë të sjellë gëzim në zemër, dritë në shpirt dhe paqe në mendje.
“Vetëm me butësi, vëmendje, solidaritet dhe empati mund ta zgjojmë hyjnoren brenda nesh, duke treguar natyrën e vërtetë njerëzore. Të vetëdijshëm se njerëzimi po përballet me një krizë të thellë dhe me sprova të rënda, duhet të fillojmë të ndryshojmë veten, nëse duam ta ndryshojmë shoqërinë”, tha presidentja.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se kjo festë bart mesazhin e pastrimit shpirtëror dhe të shpresës, duke na kujtuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të përbashkët për përparimin e shoqërisë dhe të shtetit.
“Besimtarëve ortodoksë u dëshiroj që kjo ditë t’ju sjellë qetësi të brendshme, ndërsa familjet tuaja të gëzojnë shëndet, mbarësi dhe mirësi”, tha Gashi.
Kryeministri Hristjan Mickoski tha se kjo është festë e zbulesës, e pastrimit dhe e ripërtëritjes, ditë kur uji, si burim jete, na kujton nevojën për pastërti shpirtërore dhe morale.
“Kjo ditë e madhe na kujton sa e rëndësishme është bashkësia ndërmjet njerëzve dhe marrëdhëniet e mira me të gjithë. Në këto momente, njerëzit mblidhen, mbështesin njëri-tjetrin dhe e ndajnë gëzimin, duke treguar se komuniteti është më i fortë kur është i bashkuar rreth vlerave që na tejkalojnë të gjithëve si individë”, tha Mickoski.
Sipas besimit ortodoks, ai që do ta kapë kryqin, tërë vitin do ta ndjek fati, shëndeti dhe mirëqenia.
Uji i bekuar – 19 janar, në pajtim me Ligjin për festa të Republikës së Maqedonisë, është ditë jopune për besimtarët ortodoksë.